Kush dhe me urdhër te kujt u vranë ushtarët e UÇK-së ( Rexhe Osaj, Bashkim Balajt, Sinan Musaj dhe Idriz Peja).

Doni

 

Ngjarja kishte ndodhur rreth datës 23 dhe 24 qershor 1999 në shtabin e UÇK-së në Dukagjin në Pejë, në fshatin Ratishë dhe në disa vende të tjera, thuhet në aktgjykim. Ahmet Elshani, Bekim Zekaj dhe Ramush Ahmetaj, të armatosur me kallashnikovë dhe në uniformë të UÇK-së kishin shkuar në Shtëpinë e Mallrave për të marrë viktimat, të cilët ishin civilë dhe të paarmatosur.

Të akuzuarit u kishin thënë pesë viktimave se i kërkonte Ramush Haradinaj që të paraqiteshin në Shtabin e UÇK-së për Dukagjin në Ratishë, ku edhe u shoqëruan. Viktimat nuk u takuan me Ramush Haradinaj, siç iu ishte thënë, por me ta u takua Daut Haradinaj – ka konstatuar Gjykata e Qarkut.

Daut Haradinaj kishte gjuajtur me grusht secilën prej viktimave, të cilët ishin rrëzuar në tokë. Ai pastaj i kishte rrahur edhe me thupër, derisa ishin alivanosur. I akuzuari kryesor i këtij rasti, Idriz Balaj, së bashku me disa ushtarë të tjerë kishin dërguar viktimat tek një gardh.

Aty, pasi i kishin zhveshur, i kishin urdhëruar që të shtriheshn në tokë dhe i kishin rrahur më armë të cilat janë përdorur në vend të kamxhikut. Gjatë rrahjes, Balaj kishte gërvishtur me thikë në shpinë njërin nga viktimat, Bashkim Balajn, njofton Standardi.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, nga rrahjet viktimat kishin humbur ndjenjat, por u sollën në vete me ujë të ftohtë. Aty, Idriz Balaj kishte marrë viktimat te lumi dy nga dy. “Çdo herë që ai ka marrë dy veta, janë dëgjuar të shtëna me armë që kanë ardhur nga drejtimi ku i ka çuar ata”, shkruan në aktgjykim.

Por, njëri nga viktimat, Vesel Muriqi, kishte arritur të arratisej, derisa ishin ndalë në rrugë, për shkak të defektit që ishte paraqitur në njërën prej veturave që po bartnin viktimat. Sipas vendimit gjyqësor, Veseli kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kapërcyer telat e një gardhi dhe me sukses i kishte shpëtuar gjuajtjeve me armë në drejtim të tij.

Veseli ishte fshehur dhe pastaj kishte shkuar në Rozhajë të Malit të Zi për t’u fshehur.I mbijetuari Veseli ka qenë dëshmitar kyç në këtë rast. Ndërsa katër viktimat e tjera, të cilat Balaj i kishte çuar të lumi, nuk janë parë më të gjallë.