DR. RUGOVA DHE GANDI URTAK

gggggggggggggg

Shkruan Agim Gashi, analist profesionist dhe kuader i larte i LDK`se ne Gjermani

Të flasësh për figurën e Gandit dhe të Dr. Rugovës duhet hyrë thellë në analiza të ndryshme politike, por edhe të kohës kur vepronte Gandi dhe kur vepron Dr. Rugova. Dr. Rugova është një figurë që ka në veten e tij shumë më shumë veprime se sa Gandi i Indisë i cili edhe ai njihet si njeri që Indinë e bëri shtet të lirë nga kolonizimi shumë vjeçar anglez. Historiku i Dr. Rugovës është si i Mesisë dhe veprimet e tij që nga bankat e shkollës e deri tani janë shumë të renditura në rrugën e drejtë për një pavarësi të merituar të Kosovës. Që të shkruhen të gjitha për Arkitektin e Pavarësisë së Kosovës Dr. Rugovën duhet një ekip i madh njerëzish dhe një kohë disa vjeçare. Historiku i emrit të Dr. Rugovës në publik daton që nga vitet e gjashtëdhjeta kur hartimet e tija të shkruara në bankat shkollore lexoheshin pa ndërpre në emisionet e bukura për fëmijë të Radio Prishtinës. Pengesat ishin të mëdha sepse Rugova cilësohej armik junior, me babë e babagjysh të ekzekutuar pa gjyq nga hordhitë serbe e komuniste të kohës. Tregojnë shokët dhe farefisi se Rugova qysh atëherë kishte një dëshirë të zjarrtë për atdheun dhe gjithë herë në gjepat e tij mbante nga një pjesë dhe të Kosovës. Kjo donte të thoshte se Ai kishte lindur ta bënte Kosovën siç është sot. Për këtë arsye sot poetët shkruajnë, ndërsa këngëtaret i këndojnë:

Kah u nise me nji grusht dhe,

Për liri e për atdhe!

Në ato vite jo vetëm në Dukagjin por edhe në tërë Kosovën ishin bërë të njohur dy emra: Jusuf Gervalla dhe Ibrahim Rugova të njohur njëri për artet e bukura e tjetri për letërsi. Ibrahim Rugova si student do të tregohej edhe më i vendosur për t’i realizuar ëndrrat e të parëve. Ai emërohet redaktor përgjegjës i gazetës së studentëve “Bota e re” dhe me punën e tij theu shabllonin e shkrimeve pa alternativë të kohës. Ky qysh atëherë thoshte se Kosova nuk mund të ishte Kosovë pa trojet etnike që e rrethojnë dhe për këtë arsye në stafin e “Botës së Re” ofron afër vetës Rexhep Ismailin nga Presheva, Eqrem Bashën nga Dibra, Hajrullah Koloiqin nga Kraja e shumë student tjerë nga viset tona etnike. Duhet cekur se qysh atëherë gazetat e ndryshme të kulturës Ibrahim Rugovës i rezervonin faqe të tëra për punimet e tija.

Me titullin Dr. në vitet e tetëdhjeta vihet në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ndërsa në tubimin e shkrimtarëve të tërë Jugosllavisë në Novi Sad në fjalën e rastit nder të tjera tha: “Unë jam këtu për ta mbrojtur popullin tim, idealet e tija fisnike të lirisë”.

Personaliteti i Dr. Rugovës tani jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek bota ndërkombëtare shënonte rritje ndërsa interesimin e kishte edhe fitimtarja kundër komunizmit , Amerika e cila ia dha vendin e nderit në Shtëpinë e Bardhë ndërsa qyteti i Nju Jorkut e shpall qytetar nderi, sepse Dr. Rugova me shokë formoi partinë e parë me program demokratik. Rugova e dinte se shansin e pluralizmit duhet shfrytëzuar andaj edhe u hodh në punë të palodhshme. Me 23 dhjetor 1989 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që drejtpërdrejt e sfidoi regjimin komunist të Beogradit. Falë Dr. Rugovës LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë duke mbledhur shumicën e popullit edhe pse në ndërkohe shfaqen edhe parti e forca tjera politike. Duhet ta dimë se historikisht Kosova ka pasur burra të fortë dhe trima por asnjë nga ata nuk ka ditë sikurse Dr. Rugova ta harmonizon trimërinë dhe mençurin me urtësinë. Vendimet e marra historike ishin udhërrëfyese për tërë një popull i cili synonte lirinë dhe demokracinë dhe flakjen e robërisë shekullore.

Bota tani çuditej dhe bënte sehir se si një njeri mundi ta formonte një qeveri paralele duke mos përfille pushtetin dhunues serb, e që njëherit ishte një pushtet faktik i shqiptarëve të Kosovës. Ky në fakt ishte pushteti moral dhe unik për të gjitha kohërat në hapësirat botërore. Politika e Dr. Rugovës ishte politikë reale dhe shumë e përgjegjshme për rrethanat. Andaj për Dr. Rugovën renditeshin shpërblime e mirënjohje deri të titujt Doctor Cauza (Doktor Nderi) ne shumë Universitete botërore duke filluar që nga Universiteti i Parisit e deri te ai i Tiranes.

-Pos tjerash ai merr Çmimin për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë më 1995;

-Më 1998 iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit të Evropës;

-Më 1999 Dr. Rugovës i ndahet Çmimi për paqe i qytetit të Münsterit në Gjermani;

-Në vitin 2000 për merita të luftës dhe paqes Katalonia e Spanjës i ndanë Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera” në Barcelonë dhe shumë tituj e Çmime tjera.

Pos tjerash Dr. Rugova shpallet edhe qytetar nderi i shume qyteteve si Venedikut, Milanos, Breshias, Nju Jorkut e shumë të tjerë. Por, falsifikatorët e ndryshëm që nuk janë të pakët e akuzojnë për një politikë dhe rezistencë gjoja pasive dhe të cilët synojnë denigrimin me qëllim të figurës më të madhe që pati kombi ynë. Askund nga analistët e mëdhenj botërorë nuk mund ta quanin politikën e Dr. Rugovës „politikë paqësore“ kur edhe vetë Serbia e dinte se politika e Dr. Rugovës ishte luftë e hapur kundër Serbisë dhe politikës kolonizuese të saj. Veprimet e politikës !”paqësore” të Dr. Rugovës jo vetëm që nuk pranoheshin nga qarqe shqiptare, por duke u solidarizuar me serbët mundoheshin ta stagnonin e bile edhe ta luftonin me fjalë e me zjarr. Ata i filluan edhe vrasjet kundër aktivistëve më të devotshëm të LDK-së vetëm e vetëm që Dr. Rugovën ta frikësonin. Por Mesia i shqiptarëve nuk frikësohej sepse e dinte se është duke ecur me hapa të sigurt në rrugën e popullit dhe të lirisë së tij.

Çka mund tu thuhet veprimeve të menduara mirë të Dr. Rugovës kur bëri planet më të ndritura për mbrojtjen e Kosovës ? Dhe stalinistët Kosovar akoma nuk pranin por mundoheshin qe me ndihmën e Fatos Nanos dhe këlyshëve tjerë të Stalinit ta degradonin edhe punën e mundimshme të popullit dhe të Rugovës (populli dhe Dr. Rugova ishin një shpirt e një frymë) që do ta shënojmë me sa vijon:

1.-Dr. Rugova organizoi mbrojtjen territoriale me kuadro profesioniste dhe me tërë popullin;

2.-E formoi ministrinë e mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ të Kosovës;

3.-Dërgoi djem vullnetarë në përgatitjet ushtarake në Shqipëri;

4.-Jo njëherë ua tërhoqi vërejtjen Serbisë dhe BN se shqiptarët mund t’i radikalizojnë veprimet për mbrojtjen e tyre;

5.-Mori nismën për Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut (2 Korrik 1990) ku Kosova shpallet Republikë;

6.-Nismën për shpalljen dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut 7 Shtator 1990;

7.-Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991;

8.-Mbajti zgjedhje presidenciale të Republikës së Kosovës më 24 maj 1992 që ishte shenja e parë nga shkëputja totale nga okupimi serb e shumë e shumë veprime tjera të cilat janë të njohura për shqiptarët. Për ti shënuar të gjitha veprimet patriotike te Dr. Rugovës nuk do të mjaftonin as numrat. Fillimi i luftës së pritshme e gjeti Kosovën të gatshme për rezistencë dhe të armatosur por duhej maturi dhe veprime të matura sepse raporti i forcave ishte shumë i pabarabartë. Lufta filloi dhe Dr. Rugova e përkrahu fuqimisht këtë luftë. Dërgimi i deputetëve në Drenicë këtë e tregonte haptazi. Por çka ndodhi atje? Ata që thirren si bërës të luftës i burgosën, i torturuan e pastaj të sharë, rrahur e poshtëruar i lëshuan. Ky ishte sabotimi i parë i luftës së drejtë që Kosova bënte kundër një okupatori shekullor. Sabotimet tjera vinin radhazi e sidomos me vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqit e shumë të tjerëve gjatë dhe pas kohës së pasluftës. Por një dihet botërisht se tani së fundi kanë filluar që edhe komandantet e së majtës të pranojnë se “të gjithë luftëtarët na vinin nga radhët e LDK-së” dhe së “luftën e bëri populli” e dihet fare mirë se tërë populli ishte LDK, ishe Dr. Rugovë. Luftërat e zhvilluara në Dukagjin dhe në Kosharë janë dëshmia më e fuqishme se lufta institucionale ishte shumë më e suksesshme se sa lufta guerile që udhëhiqej nga Vilat e Enver Hoxhës në Tiranë. Dëshminë që pati në gjyqin e Hagës Dr. Rugova kundër vrastarit të Ballkanit, ishte demant i bindshëm për të gjithë shpifarakët stalinist në Kosovë, Shqipëri e diasporë që me dinjitetin dhe bindjen e tij i la të turpëruar gojëkëqinjët e sojit komunist të cilët as që ishin pjesë e luftës por që u imponuan dhe imponohen dhunshëm gjatë dhe pas luftës. Mediat vendore dhe botërore raportonin: “Ndodhi ballafaqimi i shumëpritur: Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, dëshmon kundër kriminelit Millosheviq në Gjykatën e Hagës”. Ai pos tjerash deklaroi: „Beogradi vendosi ta shkatërroj Kosovën me luftë dhe me dhunë“.

Për të gjitha meritat e Dr. Rugovës tregon sot populli i Kosovës dhe e mbarë bota e civilizuar demokratike që atë e renditë shumë para Gandit dhe që e tejkalon Gandin urtak. Vdekja e Dr. Rugovës ishte vdekje e hershme dhe humbje e madhe për popullin e Kosovës dhe LDK-në si parti më e madhe në trojet tona. Turmat qindramijëshe që i shkonin në nderim të këtij Kolosi tregonin fort fuqishëm dashurinë që kishte arritur ta mbillte tek ne dhe në ne. Edhe në temperaturat nordike të këtij dimri, gra, pleq, fëmijë e plaka, intelektualë e fshatarë me dhembje në shpirt qëndronin me orë të tëra me qëllim të një përkulje falënderimi pranë arkivolit të më të Madhit njeri që pati historia e re e shqiptarëve. Varrimi i tij ishte varrim i një burrështetasi që bota demokratike dhe ajo përparimtare ia njihnin rolin dhe meritat që ai i kishte në luftën e drejtë për liri e pavarësi të Kosovës. Por tani pas vdekje ngrihen në këmbë dallkaukët, falsifikatorët, inatqorët, kërkushët e kush jo tjetër, duke i bashkuar forcat për denigrimin e kësaj figure historike që populli shqiptarë pati fatin ta ketë në gjiun e tij. Filluan pastrimet brenda partisë së LDK-së, dalin në shesh fraksionet e ndryshme, ndarjet në LDK-ista e Rugovista, krejt me qëllim të përfitimeve vetanake dhe marrjes së pushtetit nga ata që më së paku e meritojnë. Disa OJQ që janë bërë si pulat e këqija që kokrrat i hanë në oborrin e vet ndërsa vezët ia bëjnë fqiut, nuk zgjedhin mjete jo vetëm për ta diskredituar figurën madhore të Dr. Rugovës, por synojnë haptas shkatërrimin e LDK-së si parti e cila nën udhëheqjen e Strategut tonë, Kosovës ia solli lirinë e ëndërruar me shekuj. Por Dr. Rugova ishte njeriu që mbolli farën e dashurisë njerëzore. Ajo farë akoma është në zemrat tona dhe na mbanë të fortë që ta ndjekim rrugën e Tij. Akoma ka forca LDK-ja që dinë ta shporrin urrejtjen dhe atë ta shndërrojnë në dashuri, që ndarjet ti kurorëzojnë me bashkim, që humbjet ti bëjnë fitore. LDK-ja duhet të gjallojë për hirë të popullit dhe lirisë së Kosovës, duhet të gjallojë për hir të kujtimit për njeriun që perëndia na e dhuroj pas shumë vuajtjeve shekullore.

Kjo dhuratë e ka vetëm një emër: Dr Ibrahim Rugova Presidenti i parë i Kosovës dhe Strategu i Pavarësisë! Ky emër ka diçka që e bën më të madh se Gandin urtak, ka diçka mitike dhe Clemetiane që Kosova dhe populli shqiptarë jetuan në kohën e Tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>