Solana: Rugova në kushte të vështira provonte të bënte gjithçka që ishte e mundur për popullin e tij

Rugova - Solana

Shefi i diplomacisë evropiane Havier Solana, i cili mori pjesë në varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova, e vlerësoi dinjitetin e kosovarëve, gjatë homazheve për presidentin, si mbresëlënës, por u tha udhëheqësve kosovarë se ata duhet të mbushin boshllëkun e krijuar nga vdekja e Presidentit Rugova sa më parë të jetë e mundshme.
Në një bisedë për BBC-në Solana tha se Rugovën e konsideronte mik të cilin e kishte takuar në shumë raste gjatë viteve të kaluara. “E konsideroj veten të jem mik i tij dhe mendoj se edhe ai e ka konsideruar veten si një mik imi. Kemi patur shumë biseda private, kemi kaluar ditë të gëzimit por gjithashtu edhe ditë të vështira”, u shpreh Solana.

“E kujtoj dhe do ta kujtoj atë si një udhëheqës, një njeri të paqes dhe tolerancës, njeri që deshi të zgjidhë problemet me dialog dhe jo me mjete të dhunshme. Kjo do të duhej të ishte ideja dhe ndjenja që duhet ta mbajmë në zemrat tona dhe unë shpresoj se udhëheqësit e populli i Kosovës, do ta mbajnë në zemër për shumë vjet”.

Ndërkaq duke folur për për takimet para luftës, gjatë bombardimeve të NATO s kundër Jugosllavisë dhe pas luftës, Solana tha se Rugova “gjithnjë kishte në mendje të njëjtën gjë” dhe se “në kushte të vështira ai dëshironte të provonte të bënte gjithçka që ishte e mundur për popullin e tij”.

“Në çaste të vështira, por edhe të gëzueshme, në çastet e vendimeve të rënda, ai (Rugova) gjithmonë kishte ide të njëjta në zemrën e tij, e që nënkuptonte të bënte më të mirën për popullin e tij dhe për Kosovën”.

I pyetur se si shihte tani Kosovën, pas Rugovës, Solana u përgjegj, duke thënë se “Kosova sot ka humbur një udhëheqës shumë të rëndësishëm”. “Kjo është ironia e historisë që të humbësh një udhëheqës.
 Udhëheqësi vdes në një periudhë kur ishte më se i nevojshëm, pra në kohën kur bisedimet për statusin pritet të fillojnë”.
“Unë gjithashtu shoh që njerëzit po tregojnë një dinjitet të madh që është shumë mbresëlënëse. Pra njerëz që kanë pritur në radhë në temperatura shumë të ulta, por ata deshën t’i japin lamtumirën udhëheqësit të tyre, për disa udhëheqësin e vetëm që e takuan për shumë vjet”.

Më tej Solana tha se Rugova “ishte president për shumë vjet dhe për shumë gjenerata, ishte i vetmi udhëheqës që kishin”.

“Ai pra ishte më shumë se udhëheqës, ishte edhe vëlla edhe baba i tyre, siç kanë dashur ta quajnë. Por dinjiteti i treguar nga kosovarët është diçka shumë mbresëlënëse”, u shpreh Solana, për ë shtuar se udhëheqësit kosovarë “do të sillen në të njëjtën mënyrë dhe do të reflektojnë dinjitetin e popullit, me një ndjenjë të bashkimit, të përgjegjshmërisë dhe me zemërgjerësi”.
 “Këto janë tri fjalë që do t’ua përcillja udhëheqësve politikë, por edhe udhëheqësit të ri që do të shfaqet, që t’i mbajnë thellë në zemër”, tha veç tjerash Solana për BBC-në.