Astrit Haraçia: Rugova, figurë madhore e historisë sonë kombëtare

foto

 

Dyzetë vjet më parë, një student i letërsisë shqiptare në Prishtinë, lbrahim Rugova, i ri, fshehurazi nga policia komuniste e asaj kohe, shkon në Romë dhe atje takohet me djathtistin e përbetuar Ernest Koliqi. Ky takim do të thotë se në botën shqiptare, pas një gjysmë shekulli, u paraqit një intelektual me vizion kombëtar. Pse vizion kombëtar? Sepse në atë kohë ishte në kulm një lloj lëvizje Politike , lëvizje që anatemonte traditën kombëtare shqiptare dhe në vend të figurës së njeriut kombëtar, krijohej një prototip artificial i quajtur “njeriu i ri socialist”. Kombit i kishte zënë vendin grumbulli social.
Sipas analizave bashkëkohore letrare, në letërsinë shqipe, i pari pas Luftës së Dytë Botërore, që paraqiti një fakturë dhe një estetikë të konceptit dhe ideve perëndimore, të cilën e sol1i vepra në krijim e sipër e Ibrahim Rugovës. Ky koncept letrar, së shpejti, u shndërrua në një filozofi politike perëndimore të Rugovës, që do të gjejë edhe zbatim praktik, që nga dita kur në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës vendoset Dr. Rugova.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli platformën: çështja shqiptare është çështje e Perëndimit dhe traditës demokratike perëndimore, shqiptarët janë kombi që posedon argumentin politik, drejtësinë etnike dhe historike përballë hegjemonive gjakpirëse të Ballkanit. Historikisht, shqiptarët kanë qenë komb i paqes e jo i luftës. Komb që është mbrojtur dhe asnjëherë nuk ka sulmuar. Kjo është sublimja e filozofisë paqësore gandiste të Rugovës. Dhe gjithë bota u bind nga argumenti i fortë i Rugovës. Çështja e Kosovës për herë të parë doli në axhendën e kancelarive kryesore të Perëndimit. Për herë të parë në historinë shqiptare, një djalë i ri, nëpër konferenca shtypi për çdo ditë të premte në Prishtinë, dalngadalë bëri internacionalizmin e çështjes shqiptare të Kosovës.

Lideri i parë në historinë kombëtare që u pranua pa rezervë nga të gjithë liderët e Fuqive të Mëdha, ishte lbrahim Rugova. I pari pas Luftës së Dytë që promovoi në tërë botën idenë e përkatësisë perëndimore të identitetit të kulturës dhe historisë, trashëgimisë dhe traditës kombëtare shqiptare.

Kjo trimëri me të cilën Rugova e internacionalizoi çështjen shqiptare në tërë botën, bëri që populli i Kosovës t’i dilte në krah dhe ta admironte, ashtu si admirohet princi shpirtëror i kombit.

Por Rugova fliste pak dhe shkurt. Ai e shndërroi në sentencë fjalinë “Pavarësi për Kosovën”. Pikë. A nuk ngërthen kjo fjali tërë përpjekjen shekullore të shqiptarëve për liri?

Liria e shqiptarëve, thoshte Rugova para liderëve botërorë, do ta qetësonte regjionin e Ballkanit dhe më gjerë. Kjo është filozofi politike që zbërthehet fare lehtë: derisa një popull është i robëruar, në atë vend nuk do të ketë qetësi, do të ketë luftëra permanente, pa marrë parasysh kush i shkakton, viktima apo xhelati.

Si erdhi në krye të lëvizjes politike Rugova dhe pse pikërisht ai

Në atë kohë, aktivistët e partive politike të sapoformuara përpiqeshin të gjenin një individualitet karizmatik intelektual. Dhe shumë emrave u ofrohej të dilnin në krye të lëvizjes. Ata refuzonin, qoftë nga frika, qoftë nga kompleksi i inferioritetit. Ku të gjendej një njeri suprem pa hipoteka të së kaluarës që të dilte ballë lëvizjes çlirimtare? Kishin mundësi gati të gjitha individualitetet eminente të kohës të dilnin në ballë të lëvizjes. Por doli vetëm Dr.Ibrahim Rugova.

Një njeri i urtë, lbrahim Rugova. Gjithnjë i buzëqeshur. Edhe në çastet më të vështira të stuhive që përpinin Kosovën me falangat fashiste të armatës serbe. Kurrë nuk ua kthente goditjet e rënda që merrte nga ata që ia kthenin shpinën, duke mos besuar në filozofinë dhe platformën politike të tij. Në çastet më të vështira e linin vetëm. Por Rugovës i mbeti besnik gjithë populli i Kosovës. U pa nga të gjithë se programi politik i Rugovës shërbeu si bazë e fortë për një opsion të ri të filozofisë politike, që për tridhjetë vjetët e shkuara e deri në ditët e sotme, do të ndërtohet si trase për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Sa është meritë e Rugoves pavarësia “de facto”, po aq është meritë e popullit të Kosovës, që me një disiplinë të paparë politike, me sakrifica të mbinatyrshme i ndenjti pranë dhe realizoi programin e Presidentit Rugova, duke luftuar dhe rezistuar kundër robërisë, duke e përkrahur me shpirt dhe sakrifica të jashtëzakonshme punën dhe veprën politike të Presidentit Rugova.