Ditëlindja e Dr. Rugovës – Festë Kombëtare, dita e Paqes!

Ibrahim Rugova

 

Më 2 dhjetor 2012 shqiptarët në të dy anët e kufirit u dukën sikur ishin të lodhur nga festimet madhështore të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe zbehtë, fare zbehtë, mundën të përkujtonin një ditë tjetër të shënuar për kalendarin kombëtar të ngjarjeve të mëdha, ditën e lindjes së Dr.Ibrahim Rugovës! Kjo ditë meritonte të ishte një zgjatim i natyrshëm i festës së madhe, i haresë dhe gëzimit gjithshqiptar sepse ka njëmijë e një arsye për të qenë e tillë.
Data 2 dhjetor duhet të jetë për shqiptarët, feste kombëtare! Parlamentet e të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë duhet të dakortësohen për unifikimin e qëndrimit të tyre në nderim të kujtimit të Ibrahim Rugovës, si kujtimin e një shenjti. Në mos ndothtë kjo,të paktën Qeveria e Kosovës në konsultim dhe me institucionin e Presidentit, që sipas Ligjit per Festat Zyrtare ne Republiken e Kosoves, përcakton ditët e festave zyrtare, duhet ta shpallë 2 dhjetorin si feste kombetare ! Nuk është thjesht një kërkesë, por një detyrim që do të vlerësohej nga brezi i sotëm i shqiptarëve që patën fatin të udhëhiqeshin prej tij në betejën gati golgothiane për Pavarësimin e shtetit të Kosovës! Ky akt, për brezat që do të vijnë më shumë se respekt për figurën dhe veprën e Dr.Rugovës, do të jetë një krenari dhe mënyrë identifikimi ndryshe. Me figurën e Dr. Rugovës, populli shqiptar do të ketë arsye të identifikohet si populli më paqësor i rajonit më të trazuar të Evropës. Figura dhe vepra e Dr. Rugovës është dëshmi e pakundërshtueshme e identitetit paqësor të shqiptarëve në raport me fqinjët konfliktualë të Ballkanit, emri i të cilit në Evropë e më gjerë është i identifikuar me konfliktet, sheret, intrigat, ndarjet,nacionalimin apo dhe me iridentizmin.
Kush ishte dr.Ibrahim Rugova?
Lindi më 2 dhjetor 1944 në komunën e Istogut. Lideri shpirtëror dhe udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova vizionari i madh që guxoi, dijti dhe arriti te ngrejë në këmbë mbi dymilion shqiprtarët në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Ai, me një urtësi të pamatë e udhëhoqi këtë masë popullore për gjatë dy dekadave në një rezistencë paqësore. Por kur flasim për figurën e politikanit Rugova, duhet të bëjmë kujdes të mos e shkëpusim atë nga njeriu i kulturës dhe letrave shqipe, të cilat ndikuan aq shumë në formatimin e tij gati mitik per të gjithë shqiptarët e Kosovës pa dallim. Është e njohur periudha e krijimtarisë rugoviane përpara angazhimeve në fushën politike. Rugova është dritues në botën akademike, nga ku ndriçojnë më shumë se 10 vepra te krijuara nga ai. Veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime Albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Kështu,logu i mendjes do të ishte magjia ku do të brumosej rezistenca mbarë popullore. Prandaj e gjithë etapa e qëndresës rugoviste do të ishte e butë, pa gjak, dhe me mendje të kthjellët. Dr. Rugova e shndërroi në një periudhë të shpejtë orientimin e shoqatës së shkrimtarëve në drejtimin politik duke shpallur më 23 dhjetor 1989, Lidhjen Demokratike të Kosovës si forca e vetme politike për të organizuar rezistencën paqësore, me synimin e qartë , fitoren përfundimtare! Qysh nga themelimi zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, në qasje jo të dhunshme shqiptarët e Kosovës e shpallën pavarësinë në vitin 1990 dhe në vitin 1992 Dr. Ibrahim Rugova u shpall president i vendit.
Për të sfiduar pushtetin e regjimit pushtues komunist serb, eksperimentoi për herë të parë ngritjen e strukturave paralele të qeverisë, në drejtim të kujdesit shëndetësor dhe arsimin si pjesa më e prekshme dhe më dobiprurëse për masat popullore. Inicion hapjen e klasave e më pas të shkollave në mbarë vendin. Formon qeverinë, e cila në pjesën e saj dërrmuese ka si objekt punën me shqipëtarët në Gjermani,Belgjikë, Zvicër, Shqipëri ,Maqedoni, etj, duke fituar mbështetje të gjerë në mesin e shqiptarëve etnikë, por edhe duke mbledhur financat e nevojshme për të mbështetur arsimimin dhe kujdesin shëndetësor si dhe të tjera shërbime që po ravijëzoheshin me shpejtësi.
Si njeri vizionar, kishte nje ëndërr të rrënjosur thellë, një qëllim për të krijuar Kosovën një shtet demokratik, sovran dhe të pavarur nga Serbia. U cilësua nga politikanët më në zë të kohës si “Gandi i Ballkanit” sepse kërkoi të arrinte në një zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës duke u mbështetur në programin e një rezistence pasive të një politike paqësore. Në vitin 1998 vlerësohet nga Parlamenti Evropian me çmimin Sakharov, çmim i cili nderon individët të cilët jetën e tyre ja kushtojnë mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qe për herë të parë i ishte dhënë presidentit Nelson Mandela një tjetër pacifisti!
LDK-ja dhe në veçanti Dr. Rrugova, arriti të armatoste masat e idhtarëve me dashuri për atdheun edhe pse të pushtuar, i nxiti ta donin lirine dhe të jepnin gjithcka për të. Me qëndrimet e tij Dr. Rugova ka shërbyer si avokati më i mire i shqiptarve të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave civile në arenën ndërkombtare. Duke dhënë intervista të shumta në mediat ndërkombtare, kërkonte mbështetjen e huaj për të ndërkombtarizuar çështjen e Kosovës.
Nuk kishte se si të mos predikonte politikat e pacifizmit njeriu që erdhi nga bota e letërsisë dhe artit, njeriu i brumosur nga kjo botë e magjishme. Lideri fliste gjithmonë me zë të ulët, të qetë dhe të ngrohtë. Masat popullore në mbarë Kosovën, të shtypura sidomos në shekullin e njëzetë u bashkuan me një dashuri e mirëbesim ndaj liderit Rugova dhe e deshën, e respektuan dhe gati e mistifikuan figurën gjithsesi të madhe të Dr. Rrugovës. Shalli i mëndafshtë i tij u bë më se proverbial.
Njeriu i Madh i cili dëshiroi një “fitore” ku askush të mos humbiste, gjë për të cilën në vitet e mëvonshme do të ngjallte edhe ndonjë belbëzimë kritike, tregoi guxim dhe shkoi në kryeqytetin serb për tu përballur me xhelatin Milloshevic, duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje politike, pavarësisht kohës së vështirë të luftës në vitin 1999 dhe të gjithë peshës së rëndë të kritikave që rënduan mbi të. Këtyre mëdyshjeve dashakeqe do t’u vinte fundi me qëndrimin e mbajtur ndaj Millosheviç, gjatë gjykimit të këtij të fundit nga tribunali i Hagës për krimet e kryera në ish-Jugosllavinë.
Parlamenti i Kosovës e zgjedh president në vitin 2004 dhe Ai ndërron jetë në janar të vitit 2006, pa arritur të shohë atë që dy vjet më vonë do të ndodhte, e që ky Burrë i madh shteti i kushtoi gjithë jetën misionit të tij politik, shpalljen e Kosovës një shtet të lire e të pavarur.
Për të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin, Rugova ishte lideri padiskutueshëm shpirtëror e moral, përkushtimi i të cilit meriton përulje dhe respekt.
Jo më kot i shkruajta këto rrjeshta, pasi këtë lëndë tashmë e njohin pothuaj të gjithë shqiptarët-këndej e andej kufirit.Dhe nuk besoj se mund të ketë shqiptar që nuk është krenar që është bashkëkombas i Dr. Rugovës! Qëllimi im është të sjell në vemendje që ashtu si “Mandela Day” është festë ndërkombtare në nderim të Nelson Mandelës, (e cila festohet në 18 korrik, ditën e lindjes të liderit të madh), ashtu si 2 tetori, ditëlindja e Mohandas Gandhi që festohet si Dita Ndërkombëtare Kundra Dhunës, ashtu si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,që për të kujtuar Marthin Luter King e hëna e tretë e çdo janari është festë kombtare (ditë e përafërt me 15 janarin, dita e tij e lindjes) edhe për ne pesë milion shqiptarët duhet të ketë një ditë me shenjë. Të gjithë, pa përjashtim,ndjejmë detyrime të mëdha morale ndaj figures së Ibrahim Rugovës, këtij njeriu të madh !
I ftoj ta marrin në konsideratë këtë propozim që ju adresohet në mënyrë modeste nga nje qytetare e këtij kombi të ndarë në disa shtete!Shpresoj të sensibilizoj opinionin publik; botën universitare, akademikët, studentët, partitë politike që ta mbëstesin këtë propozim!
Është në nderin e Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, ta konsiderojne këtë ide sepse jam e bindur që herët a vonë historia do bëjë punën e saj, do ta bëjë shenjtërimin e jetës dhe veprës së Dr. Rugovës! Kjo datë do të jetë sigurisht, një arsye më shumë që shqiptarët të mblidhen sërish bashkë për të festuar, do jetë një arsye më shumë për shqiptarët që të pushojnë e reflektojnë një ditë më shumë se identiteti nuk mbrohet vetëm me luftë, por më shumë me paqe… Pra, 2 dhjetori le të jete dita e kujtimit të tij! Dita e Dr. Ibrahim Rugoves, dita e miresisë!

 

Autorja e ketije shkrimi është Bojana Fatkoja