Armend Zemaj: VALLJA QË NUK NDALET

foto

 

21 Qershor 1998, datë e rëndësishme në historinë e Luftës për Lirinë e Kosovës. Kujtim për të gjithë të rënët e lirisë të cilët 17-të vite më pare u bënë pjesë e datës më të lavdishme të luftës për liri dhe pavarësi. Sot me 21, Qershor është dita e Betimit të Brigadave të para operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës udhëhequra dhe të Komanduara nga Shtabi Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Në ketë ditë para Ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit dhanë betimin dhjetra eprorë dhe qindra ushtarë të lirisë të cilët pakë ditë më vonë hynë në Kosovë nën komanden e ushtarakut madhor, Kolonel Tahir Zemaj.
21 Qershor i vitit 1998, Papaj, Veriu i Shqipërisë.
Para një guri të heshtur që ka zenë vend mes maleve. Ky është vetëm një i ketij lloji. Janë edhe qindra të tjerë përgjatë gjithë kufirit, të venë padrejtësisht. „Me ndihëm e zotit, të kombit tonë dhe miqeve do ti rrënojmë një nga një këta gurë të ndarjes“,- kishte folur më burrëri dhe vetëbesim prej strategu njeri nga ata i cili qëndrónte në ballë.
Të radhitur në krahun e djathtë të tij, janë me dhjetra burra dhe djem të përgaditur profesionalisht, oficer të shkolluar dhe të rryer edhe në lufta të mëparshme.
Nga larg, dikush mund të ketë menduar së është valle e vjetër e tribunëve të Ilirisë. Dikush tjetër mund të ketë thënë se ju gjasojnë kreshnikëve të maleve. E dikush tjetër, edhe i kishte krahasuar më burrat e Besëlidhjes se Lezhës, perderisa të tjerët thonin: jo ata që janë besatuar sot, janë vetë krerët e Lidhjës së Prizrenit, por të koheve të sotme.
Po të kishin qenë duke vëzhguar, Orët e mira dhe Zanat e Shqipërisë ketë besatim, padyshim se do të kishin pyetur: A nuk ishte kthyer Skendërbeu në krye të qindra kalorësve dhe ushtarëve për të mbrojtur vendin e tij? A nuk ishin kthyer edhe shumë të tjerë nga shkollimi në Perandorinë Osmane për të mbrojtur pragun e shtepisë dhe nderin e kombit? A nuk ju kishin bashkuar atyre edhe shume të tjerë te cilët gjendeshin aty dhe e donin lirinë? Por, ata edhe kishin hasur në pengesa, jo rrallë herë edhe ishin nëpërkembur. Fatkeqsisht edhe vrarë në pabesi nga hijenat që nuk ia donin të miren Kombit dhe Atëdheut.
Në fakt, edhe ashtu ishte. Ato ditë, pothuajse perseritej historia e djeshme. Shumica prej tyre ju gjasonin pikërisht ketyre krahasimeve. Si për kah trimëria dhe fisnikëria, ishin sikurse tribunët e Ilirisë dhe kreshnikët e Skenderbeut. Fatkeqësisht,edhe për nga pengesat dhe ndjekja tinëzare, duke mos lenë anash pabesinë që ju bëhëj prapa shpinde.
Po more po, duhët të marrim guximin dhe ta thëmi të vertetën. Në asnjë menyrë nuk duhët berë shumë qejfin vetit, sepse edhe tribunët Ilirë, edhe kalorësit e Skëndërbeut, edhe pishtarët e Rilindjes, kishin pasur pengesa të tilla, besa edhe jo pak. Por, ata i kishin thyer keto pengesa se bashku. Ishin besatuar rreth Himnit dhe Flamurit Kombëtarë. Pa e pasur frigë vdekjen për të vazhduar vallen qe nuk ndalet.
Pra, të tillë ishin edhe shumica prej tyre, të shkolluar në derë të armikut, për të mos harruar kurrë amanetin e të parëve, për tu kthyer që ketë dije, ta përdorin në sherbim të lirisë sëpopullit të vet.
E amaneti i prindërve nuk ishte lënë peng. Secili prej tyre i gjasonte edhe Konstandinit. Mbajtja e besës dhe fjalës se dhenë, ruajtja e nderit dhe besa e lirisë. E liria është kurorë e kësajë valleje që nuk ndalet.
Zoti i bekoftë të gjithë keta besëdhënës, kalorës të lirisë dhe gurthemel të pavarsisë së vendit.
Zoti e bekoftë jetën dhe vepren e Minsitrit të parë të Mbrojtjes, Ministrit të Luftës dhe Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.
Zoti e bekoftë vepren e Heroit, Kolonel Tahir Zemaj, komandantit të parë të Brigadave dhe të Njësive Operative të Republikës së Kosovës, të cilat e dhanë betimin më datën 21 Qershor 1998.
Zoti i bekoftë të gjithë ata oficerë profesionistë të cilët u besatuan më 21 Qershor 1998 dhe të gjithë ushtarët e këtyre Brigadave 134, 131 dhe 133 të cilët u bashkuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Zoti i bekoftë të gjithë trimat dhe përkrahësit e vallës që kurrë nuk do të ndalët.