Bardhyl Ajeti: Kush është Ramë Fazli Maraj?

doni

Ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ata që janë kundër politikës së urtë dhe paqësore të udhëhequr nga presidenti Rugova, ata që janë kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, ata që janë kundër ardhmënisë së shtetit tonë – Kosovës, janë edhe kundër Ramë Marajt, këshilltar për siguri i presidentit Rugova. Ramë Maraj është një atdhetar i madh, i cili ka përkrahjen duke filluar nga presidenti i shtetit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, Qeveria e Kosovës, Parlamenti i Kosovës, nga Kryesia qendrore e LDK-së, të gjitha kuvendet komunale të Kosovës, të gjitha degët e LDK-së nga Kosova.

Shkruan: Bardhyl N. AJETI 28.05.05

Ramë Maraj – një jetë e tërë kushtuar Kosovës

I qetë, serioz, i përkushtuar maksimalisht për shtetin e Kosovës, i ndjekur dikur para luftës nga regjimi i Beogradit, e pas luftës i shantazhuar nga PDK-ja dhe aleatët e saj medialë, Ramë Maraj, këshilltar për siguri i presidentit Rugova, ecën me hapa të sigurt rrugës kombëtare të familjes së tij dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Qysh si fëmijë Ramë Maraj shquhej për atdhetarizmin e tij të lartë për Kosovën. ”Jam në gjendje të jap jetën për Kosovën, kurdoherë që lypet prej meje”, kujtojnë shokët e Ramës fjalët e tij që në fëmijëri. Një burrë i urtë me tradita të larta kombëtare, Ramë Maraj rrjedh nga një familje atdhetare me tipare të larta kombëtare që ia ka lakmi jo vetëm ana e Istogut, por edhe tërë Kosova. Si i ri iu përkushtua zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare.

Ramë Maraj, i biri i Fazli Ramajt, i cili në rrethinën e Istogut njihet si njëri ndër burrat më besnikë dhe më të shquar jo vetëm të kësaj ane, asnjëherë nuk ka menduar se gjashtë vjet pas luftës, kur Kosova është në prag të zgjidhjes së statusit final, njerëzit e mjerë të sojit komunist do të dilnin një ditë me çantën e mbushur me dosje dhe do të bënin akuza të rrejshme ndaj personaliteteve më të çmuara të jetës sonë. Zaten, edhe Ramë Maraj i është mësuar hartimit të dosjeve ndaj tij. Para luftës regjimi i Beogradit, e tash pas luftës edhe PDK-ja dhe ShIK-u i saj, vazhduan rrugën e të parëve për të bërë dosje kundër Ramë Marajt. Por, ai asnjëherë nuk është mërzitur dhe nuk mërzitet për këto dosje të rrejshme që bëhen ndaj tij. Ai vazhdon të bëjë punën e tij, punë këtë që ia çmon elektorati i Kosovës, ia çmon Kosova.

Ramë Maraj është një atdhetar i madh, i cili ka përkrahjen duke filluar nga presidenti i shtetit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, Qeveria e Kosovës, Parlamenti i Kosovës, nga Kryesia qendrore e LDK-së, të gjitha kuvendet komunale të Kosovës, të gjitha degët e LDK-së nga Kosova. Por, Ramë Maraj nuk e ka përkrahjen e atyre që më 17 dhe 18 mars të vitit 2004 deshën që me anë të trazirave të marrin pushtetin me dhunë në Kosovë. Nuk e ka përkrahjen e atyre që me çdo kusht po tentojnë të rrëzojnë institucionet shtetërore të Kosovës dhe të atyre që bashkëpunojnë në politikë me mbeturinat e komunizmit në Kosovë. Bile, kjo përkrahje atij nuk i duhet. Ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ata që janë kundër politikës së urtë dhe paqësore të udhëhequr nga presidenti Rugova, ata që janë kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, ata që janë kundër ardhmënisë së shtetit tonë – Kosovës, janë edhe kundër Ramë Marajt, këshilltar për siguri i presidentit Rugova.

Ramë Maraj i njohur për shqiptarët e Kosovës që nga vitet e 90-ta

Ramë Maraj nuk është figurë e njohur për qytetarët e Kosovës vetëm gjatë këtyre dy – tre vjetëve të fundit. Jo. Emri i tij për të gjithë shqiptarët e Kosovës është i njohur që nga vitet e nëntëdhjeta, atëherë kur populli shqiptar i Kosovës kishte formuar celulat e para të shtetësisë. Në atë kohë, Ramë Maraj ishte në ballë të formimit të celulave të para të Ministrisë së Mbrojtjes së shtetit të Kosovës.

Atëherë kur rrallë kush guxonte të përmendte fjalën “shqiptar”, Ramë Maraj do të thoshte hapur : ”Kosova ka djemtë dhe bijat më të mira të saj, që janë të gatshme të japin jetën për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës”. Atëherë kur disa nga politikanët e sotshëm nuk guxonin të përmendnin emrin e presidentit Rugova, po Ramë Maraj do të ngrihej sërish në këmbë: ” Kosova ka një prijës që do të çojë Kosovën drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. E këtë më së miri do ta bëjë një njeri – e ai është presidenti Ibrahim Rugova”.

Gjithmonë besnikë ndaj politikës së udhëhequr nga presidenti Rugova, Ramë Maraj me sukses përballonte çdo furtunë që i pengonte proceset demokratike të Kosovës.
Sot, Ramë Maraj, ndihet krenar për gjithë ata që ka bërë për Kosovën.

Institucionet për Ramë Marajn

Pse akuzohet z.Ramë Maraj nga PDK-ja dhe nga mediat e majta të saj? Me plot të drejtë zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, thekson se Ramë Maraj ishte njëri ndër figurat kryesore në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, njëri ndër ata që themeloi këtë ministri.

”Ata që e akuzojnë Ramë Marajn, janë të mjerë, sepse të akuzohet një njeri i cili tërë jetën ia dha Kosovës. Prandaj është turp. Ramë Maraj është një burrë i madh i Kosovës”, thotë akademik Mark Krasniqi, i cili së bashku me presidentin Rugova paraqesin shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës.”Ramë Maraj është një personalitet i çmuar dhe shumë i respektuar i Kosovës”, thotë Adem Salihaj. Sali Caca, njëri nga këshilltarët kryesorë të presidentit Rugova, thotë se Ramë Maraj është një njeri i cili tërë jetën e tij ia kushtoi pavarësisë së Kosovës. ” Rama ka dhënë dhe vazhdon të japë tërë qenien e tij për realizimin e plotë të pavarësisë së Kosovës”, thotë z.Caca.

Ashtu edhe siç e ka potencuar vetë ministrja e Shërbimeve Publike, znj.Melihate Tërmkolli, Ramë Maraj është një njeri që gjithçka dha për Kosovën dhe kurrë asgjë nuk mori nga ajo. ”Ramë Maraj është një atdhetar i madh i Kosovës”, tha Melihate Tërmkolli, njëra nga figurat më të shquara të LDK-së në Kosovë.. Por, PDK-ja dhe eksponentët e saj medialë e sulmojnë Ramë Marajn, për të tentuar së denigruari figurën e tij kombëtare. Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, z.Lutfi Haziri, tha se njerëzit si Rama i duhen Kosovës dhe i duhen së ardhmes së ndritur të këtij vendi. ”Ramë Maraj është njëri ndër personalitetet më të çmuara të shtetit tonë” , thotë Lutfi Haziri.
”Njerëzit si Rama njëherë lindin dhe nuk vdesin kurrë”, thotë ministri i Kulturës, i Rinisë, i Sporteve dhe i Çështjeve Jorezidente z.Astrit Haraçia.

”Gjithçka që lidhet me emrin e pavarësisë së Kosovës, lidhet edhe me emrin e Ramë Marajt”, thotë ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, z.Agim Veliu.

Të lartpërmendurit, pos akademik Mark Krasniqit, i cili është kryetar i PShDK-së, janë edhe anëtarë të Kryesisë qendrore të LDK-së, apo thënë më saktë personalitetet kryesore të LDK-së dhe ardhmënia e kësaj partie. Ne kemi shkoqitur vetëm nga një citat të tyre për Ramë Marajn, sepse ata kanë shumë fjalë miradije dhe çmojnë lart heroizmin e Ramë Marajt dhe familjes së tij, sikurse edhe kryetarët e komunave sikurse dhe kryetarët e degëve të LDK-së.

PDK-ja dhe ShIK-u i saj kërkojnë kokën e Ramë Marajt

Gazetat “Epoka e re” dhe “Express” tashmë edhe publikisht kërkojnë vdekjen e Ramë Marajt, këshilltar për siguri i presidentit Rugova. Komisari i Përkohshëm për Media vazhdon të heshtë ndaj dhunës mediale që po zhvillohet ndaj Ramë Marajt. Eksponentët medialë të PDK-së e akuzojnë z. Ramë Marajn me akuzat më të rrejshme dhe më të rënda që janë dëgjuar gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Një gjë dihet: PDK-ja dhe ShIK-u kërkojnë kokën e Ramë Marajt. Kokën e Ramë Marajt e kërkon ende edhe Serbia. Ata çdo ditë me lloj-lloj akuzash të rrejshme sulmojnë Ramë Marajn.

E akuzojnë për shumë akuza të rënda, të cilat njeriu mund t’i dëgjojë vetëm nga goja e mbeturinave të majtizmit në Kosovë. Por, edhe përkundër kësaj fushate të pabazë të PDK-së dhe eksponentëve të saj medialë, megjithatë Ramë Maraj po vazhdon me mjaftë sukses të kryejë detyrat e tij që janë të parashtruara nga populli. Kosova ndihet krenare që në hapësirat e saj veprojnë njerëzit si Ramë Maraj. PDK-ja dhe eksponentët e saj medialë duhet të kenë parasysh një gjë të tillë se Ramë Maraj ka përkrahjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe çdo akuzë ndaj tij është edhe akuzë ndaj Kosovës.