Brezat që do të vinë do ta nderojnë Ibrahim Rugovën, ashtu si ne nderojmë Skënderbeun

image

Afrim Ademi: Znj. Elida Buçpapaj, si mund me ndodh që meritat e të ndjerit Ibrahim Rugova t’i shfrytëtojnë politikanë të tjerë dhe sa është e denjë kjo ?

Elida Buçpapaj: Po, kështu ka ndodhur vazhdimishjt, që prej 1989 kur është themeluar LDK-ja, që prej meritave dhe popullaritetit të liderit të Pavarësisë, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë gati të gjithë ata që e pasuan Rugovën, por që mjerisht nuk ndoqën gjurmët e tij.
Populli i Kosovës është i jashtëzakonshëm, ka një intuitë të pagabushme, i njeh burrështetasit e vërtetë dhe nuk e ha sapunin për djathë. Dhe këtë e tregon raporti që kishte Rugova me popullin e tij, popullin rugovian, që tani ka mbetur pa lider. Ibrahim Rugova përfaqëson Liderin Europianist të Kosovës, intelektualin elitar, politikanin Perëndimor, shqiptarin mendimtar dhe mendimtarin sovran.
Ibrahim Rugova në rrugën që ka përshkuar ka kaluar ato vështirësi që do të kalonte vetëm Odiseu për të shkuar në Itakë, Ibrahim Rugova përshkoi të pamundurën dhe arriti të realizonte ëndërrën shekullore të shqiptarëve. Prej meritave të tij përfituan pjesa më e madhe e politikanëve që prodhoi LDK si gjatë kohës që ishte gjallë Rugova dhe pas vdekjes së tij, por ata janë 180 gradë ndryshe nga Lideri Indipendentist.
Të gjithë që erdhën në lidërshipin e LDK-së pas vdekjes së Rugovës sollën përçarjen dhe frymën autokratiste duke e shndërruar LDK- në parti lokale, uzurpuan gjithçka, larguan njerëzit e Rugovës, i persekutuan ata dhe e transformuan partinë e Rugovës në një parti për të cilën Rugova do të distancohej menjëherë po të ishte gjallë.
Dhe meqë nuk kanë asnjë lidhje me formatin e liderit që kishte Rugova, sepse nuk bëjnë përpjekjen as më të vogël që të vijojnë rrugën e tij, përfitimi i tyre me emrin e Rugovës është i bën ata që të mbeten me kostumin e profiterit. Kjo është edhe arsyeja që ata janë në opozitë sepse populli rugovian nuk beson tek ata.

Afrim Ademi: Znj. Elida Buçpapaj, si ndodhi që në Manifestimin Qendor të Shkupit të dates 25.11.2012 për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të mos përmendet emri i madh i Ibrahim Rugoves? Ku ne të pakten kemi prit nga Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha që t’a permendë emrin e Dr.Ibrahim Rugoves, aty menjëherë pas Ismail Qemailit dhe Hasan Prishtines. Në Shqipëri e kanë përmendur shume figura politike duke filluar nga Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe me gjërë, por jo në Shkup.

Elida Buçpapaj: Edhe unë e ndoqa manifestimin e 100 vjetorit që u organizua në Shkup, ku ishin bashkuar liderët nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Të përmendësh Ibrahim Rugovën në një tubim të tillë, në kryeqëndrën e Dardanisë, në Shkupin me atë trashëgimi historike, ku Hasan Prishtina kishte paraparë të ngrinte flamurin e pavarësisë, ishte obligim për çdo politikan. Aq më tepër në një rast të tillë që do të përsëritet pas një shekulli dhe uroj që atëherë klasa politike shqiptare të ketë arritur pjekurinë e duhur, larg përçarjeve dhe frymës partiake, sepse mendoj se arsyeja për mospërmendje ka qënë politike.
Sepse nuk mund të pranoj se ka qënë për harresë. Ka qënë për ligësi, çka e ka shoqëruar Rugovën edhe kur ishte gjallë. Kundërshtarët e tij e urrenin, populli i Kosovës e donte dhe ia jepte votën. Dhe dinte se kë donte. E sa herë që në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet Rugova dilte fitimtar, ndërsa kundërshtarët e tij humbisnin, paçka se kishin me vete një makineri propagandistike e cila fabrikonte shpifje të pafundme për demonizimin e Rugovës. Pra, nëse nuk e përmendën, kjo nuk e ul vlerën e Rugovës si lider, përkundrazi ai ka vendin e tij dhe qëndron shumë më lart në krahasim me ata që nuk e përmendën.
Unë për shembull, besoja se Sali Berisha në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë do të kishte paraparë që në Tiranë të lartoheshin shtatorja e Rugovës dhe Pjetër Arbnorit, dy burrave shumë të ndritur të kombit shqiptar që janë pjesë e historisë tonë bashkëkohore. Unë jam me fat se i kam njohur të dy
.
3. Afrim Ademi: Pyetja ime e fundit për ju, Znj. Elida Buçpapaj. Çfarë mendoni se çfarë vlerash do të ketë figura dhe emri i Ibrahim Rugoves për brezat që vinë dhe ju si e vlerësni emrin e tij ? Do e marrë shembull figuren e madhe Historike Gjergj Kastriotin-Skender Beut, ku edhe mbas 545 viteve të vdekjes se tijë, ne përkulemi me dinjitet shumë te madhe para varrit të tij, Ju si nje gazetare e guximshme dhe me nje provoje te gjate dhe të sukseshme, cka mendoni per ket?

Elida Buçpapaj: Unë jam rugoviste. Pra unë besoj tek idealet rugoviane. Ju e thatë shumë mirë. Brezat që do të vinë do ta nderojnë Ibrahim Rugovën, ashtu si ne nderojmë Skënderbeun, ashtu si nderojmë Rugovën. Historiografia shqiptare do të fillojë që të ndreqë gabimet e saj dhe ta shkruajë historinë ashtu si duhet dhe jam e sigurt se pas pasardhësit tanë do ta kujtojnë Ibrahim Rugovën si babain e Pavarësisë të Kosovës dhe si një nga Etërit e Kombit Shqiptar.
Unë kam patur fatin që kur posa kisha nisur profesionin e gazetares, në fillimet e mia, kam patur nderin ta intervistoj disa herë Ibrahim Rugovën, pastaj e kam takuar edhe pas konfliktit që solli çlirimin e Kosovës dhe ai shihte gjithnjë shumë më përpara në kohë. Dhe ndodhi gjithçka ashtu si e kishte paraparë ai, ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin dhe shtetin e pavarur të Kosovës, me aleatin jetik të Shqiptarëve, që janë SHBA, aleat tek i cili Ibrahim Rugova lidhi fatin e Kosovës, sepse si njeri vigan e dinte kështu do të ishte e mira e Kosovës dhe popullit të tij. Dhe nuk gaboi.

Afrim Ademi: Mike-Gazetare Elida Buçpapaj, dua të ju falenderojë nga zemra juve dhe po ashtu bashkshortit tuaj Skënder Buçpapaj që gjetet kohe për t’mu përgjegjur në kto tri pytje për Heroin ton kombëtar, Ibrahim Rugoves !

Intervista më z.Elida Buçpapaj
Intervistoi: Afrim Ademi