Hafiz Gagica: Rugova ndërtoi ura të forta të miqësisë

Hafiz_Gagica_bashkë_me_presidentin__Köln__1991

Ju faleminderit për mundësinë që më dhatë që sot të flas para jush për Dr Ibrahim Rugovën, presidentin historik të Kosovës, njeriun që e ndërrojë historinë e kombit, dhe që shqiptaret i frymëzojë të mendojnë dhe të punojnë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Para pak çastesh isha tek varri i tij, dhe, sikur nuk munda pa i “thënë” se po shkoj në Gjilan, atje ku me mijëra banorë e pritnin atë në përqafim, sepse kur vinte në qytetin tonë dhe trevën e Anamoravës i qeshte fytyra, i shtohej besimi, i rritej ymri, meqë ndjehej i lirë dhe shumë i respektuar me mikpritjen dhe bujarinë e gjilanasve..

Rrugës për në Gjilan, disi më dukej sikur me thoshte butë dhe prajshëm, ashtu siç e kishte zakon me fol;…po duhet të bëheni burra dhe gra të forta, e të filloni me besue në zhvillim, në prosperitet, në Kosovën e bukur dardane, të cilën Zoti na e ka krijue dhe dhurue shumë të begatshme, andaj atë duhet ta punojmë, ta ndërtojmë dhe ta ruajmë si sytë e ballit, sepse Kosova është e jona..!

Edhe tani më duket se po më thotë, siç thoshte dikur; “Po, ana e Anamoravës, e Karadakut dhe e Gollakut, si e gjithë Kosova, ka pas burra të zot, të cilët kurrë s’ janë ndalë për Liri, por edhe në ditët më të vështira, e ruajtët dhe e forcuat LDK-në si dhe mekanizmat e shtetit të Kosovës..”, por po ashtu më duket se po më qorton edhe sot për diçka tjetër, mirëpo sot po ndalem pak vetëm të filozofia e tij politike dhe kombëtare:

Zonja dhe zotërinj,

Pasi që disa fjalë i “shkëmbeva” me presidentin Rugova, me rastin e këtij përvjetori të shtatë qëkur iku në amshim, dëshiroj të shtoj :

President, po bëhen 7 vite pa ty, shkove në një kohë me acar, dhe Zoti të mori pa na pyetur neve, sepse po të na pyeste, kurrë nuk do t’ia jepnim, njeriun i cili me filozofinë e tij të rrallë, na shpëtoi nga laku i gjakpirësve, të cilin si gjarpër shkretire e bartëm si popull për më shumë se një shekull..dhe, Ibra ynë, iku në përjetësi pa e hequr shallin historik nga qafa e tij, të cilin e mbante si simbolikë të atij gjarpri helmues..!!

Ibrahim Rugova, ky burrë i madh i Kosovës dhe i shqiptarisë, ndërtoi filozofinë e mëvetësisë- pavarësisë dhe krahas saj ndërtoi ura të forta të miqësisë me vendet më të fuqishme të botës, miqësi të cilën po e gëzojmë sot, por mjerisht që sot në masë të madhe na e kanë zbehur ata të cilët nuk ia ditën kurrë rëndësinë, as miqësisë, as përkrahjes, as bashkëpunimit me miqtë tanë, pa të cilën vështirë se sot do ta kishim lirinë dhe shtetin tonë të pavarur..!

Ibrahim Rugova, ndërtoi frymën pacifiste, siç e quajtën atë disa kundërshtarë të tij, por ajo ishte politika më e matur dhe më aktive që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët në raportet e tyre me armikun shekullor..!

Fryma e tij, që sot aty këtu quhet Rugovizmi ishte por edhe tash është një frymë që krijon besim dhe mirëkuptim midis shqiptarëve, është politikë që ofron dhe mobilizon të gjithë ata që e duan Kosovën demokratike, të zhvilluar, të emancipuar, të pa kurrupsion dhe nepotizëm, si një shtet sovran dhe faktor kyç në Ballkan. Si shtet dhe shoqëri me një politikë aktive ndërkombëtare, e cila nuk bën kompromise në dëm të interesave nacionale të vendit, pra një vend stabil dhe me qëndrushmëri ekonomike, ku qytetarët e saj do ndjehen krenarë edhe si qytetar të Evropës së bashkuar..!

Në fund, ju përgëzoj për këtë Akademi dhe uroj që organizimet tjera të jenë edhe më të fuqishme, ashtu siç ishin dikur, kur në këto anë vinte Presidenti Rugova, duke i mobilizue të gjitha hallkat e LDK-së me qëllim që të mos ndaleshim në rrugën tonë drejt njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, njohje e cila defacto kishte ndodhur sa ishte ai gjallë, por atë formale e vonuan ato qarqe të cilat nuk dëshironin që filozofia rugoviane dhe ajo e LDK-së të realizonin misionin e tyre kombëtar, për të cilin kishte punuar dhe sakrifikuar aq shumë..!?

Presidentit Rugova, i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, për të cilën dha gjithë mundin dhe intelektin e tij që sot ta kemi shtetin e Kosovës tonë të dashur.

I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për Dr. Ibrahim Rugovën..!

 

(fjala e z Gagica në Akademinë Përkujtimore, që LDK-ja e Gjilanit, e kishte organizuar në shënim të shtatë vjetorit të shkuarjes në amshim të presidentit historik  të Kosovës Dr ibrahim Rugova)

Burimi: http://2lonline.com