Agron TUFA: Profeti dhe testamenti

image
 

Shkruan: Agron TUFA

Ibrahim Rrugova, një ndër mitet e pakta shqiptare pa asnjë ngarkesë negative, u largua përgjithmonë, siç besojmë ne të gjithë – për në Përjetësi. Ai u largua në momentin kur i duhej më shumë se kurrë Kosovës dhe kauzës shqiptare në Ballkan.
 
Është i hidhur madje edhe vetë rregulli gjuhësor që na detyron të flasim për të me folje të kohës së shkuar, folje të cilat na ndërmendin ne vdektarëve se jemi të pafuqishëm mbi “veprën e pandreqshme të vdekjes”.
 
Nuk e di (dhe pak rëndësi ka) se ç‘përfaqësoi qenia e tij në botën tragjike shqiptare: – domosdoshmëri historike? (sipas gjuhës së filozofisë materialiste); vullnesën hyjnore (“i dërguari i Zotit për Kosovën”, sipas Mero Bazes) apo “ndërhyrjen e Zotit” në histori (sipas Baton Haxhiut).
 
Por trajektorja e tij e qetë politike për 16 vjet në sfondin e përndezur të gjenocidit serb mbi Kosovën, kthjelltësia e tij apostolike në situatat makabre dhe sidomos filozofia largpamëse – krejtësisht profetike – na kthejnë edhe një herë në meditimet mbi madhështinë e ndikimit të individit në histori.

Të zotërosh kthjelltësinë dhe durimin, të ngrihesh mbi pasionet, klithmat e gjakut dhe dhimbjet e përmasave apokaliptike të popullit tënd që po masakrohet njësoj si në kasaphanat e mëdha, me të cilat është e tejngopur historia e njerëzimit dhe, për më tepër, të mos e braktisësh asnjëherë besimin, se liria i ka parashikuar edhe këto rrugë të flijimit masiv – kjo do të thotë të jesh i pajisur me veti jashtënjerëzore, të kesh atributet e hyjnisë brenda njësisë njerëzore.
 
Ja pse merr vlerë konkrete metafora e Mero Bazes për Rugovën “I dërguari i Zotit për Kosovën”. Sepse tek Rugova u gërshetuan në një mënyrë dhe ekuilibër mbinjerëzor, të gjitha dëshirat dhe pengjet shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës. Vetë Rugova ishte njeriu që e përktheu dhe e finalizoi gjithë kaosin e vuajtjeve kosovare, gjithë lëngatën dhe protestën instinktive të shqiptarëve në gjuhë e gjeste të thjeshta, të qarta, të sinqerta.

Hyrja e Rrugovës në politikë, efekti dhe toni i qetë i ligjërimit të tij profetik te shqiptarët e Kosovës, të ndërmend fjalët e çuditshme me të cilat iu drejtua Papa Gjon Pali II turmës së besimtarëve në sheshin e Vatikanit: “Tutus tuus! (Mos kini frikë!)”. E gjithë veprimtaria e tij, edhe në momentet e kasaphanës së 1999-ës, ndikoi në ngjalljen e besimit dhe, në të vërtetë, ai diti ta mbajë gjallë këtë besim reciprok deri ditën kur mbylli sytë.

Shqiptarët e Kosovës kishin nevojë për fli, kishin nevojë për të vrarët e tyre, kishin nevojë për mitet e tyre dhe, natyrisht, kishin nevojë për një mit qendror që t’u shërbejë si gur themeli për ngrehinën e shtetësisë dhe identitetit kombëtar. Ibrahim Rrugova ishte i zgjedhuri për ta mbajtur peshën e kësaj vepre mesianike.
 
Nëse i referohemi një analogjie të misioneve profetike, Rugova ishte Moisiu profetik i kosovarëve, duke i udhëhequr ata përmes sprovash të vështira të mbijetesës deri sa i nxori nga shkretëtira e gjenocidit nacionalist serb.

Por largpamësia e Rugovës, përveç përmbushjes së misionit mesianik në historinë e kosovarëve, ka një rëndësi thelbësore në emancipimin e madh vizionar që i dha kulturës shqiptare në tërësi me veprën e tij voluminoze kritike dhe studimore.
 
Vepra e tij që u prezantua para botës shkencore –filologjike me rastin e Panairit Kombëtar të Tiranës në nëntor 2005, përveç vëllimeve me të ashtuquajturën “kritikë klasifikuese” të zhanreve, kahjeve e rrjedhave letrare në krijimtarinë e shkrimtarëve shqiptarë, përfshinte, të paktën 3 vepra përcaktuese në modelet e mëvonshme të kritikës letrare në Kosovë e Shqipëri: “Strategjia e (mos)kuptimit”, “Refuzimi estetik”, “Kozmogonia e Bogdanit”.

Kritiku dhe Filologu Ibrahim Rrugova, ithtar dhe recepient i hollë i strukturalizmit dhe poststrukturalizmit francez, – disertant i njërit prej perëndive të kritikës strukturale e poststrukturale franceze, Rolan Bartit – solli në letrat shqipe për herë të parë një metodologji tjetër studimore, larg modeleve socrealiste.
 
Kundrimi i produktit letrar si shkencë, pa sensibilitetin dhe romantikën demode nacionalkomuniste, hapi një seri të begatë hulumtimesh mbi autorët shqiptarë të traditës dhe modernitetit. Rugova qe pionieri i parë që solli në shkencën e studimeve kritike qasje themelore, principiale, duke vënë një vijë ndarëse dhe duke shënuar divorcin nga ideologjia në veprën letrare.
 
Roli emancipues i Rugovës qëndron jo vetëm në qasjen strategjike ndaj veprës letrare-artistike si formacion, më së pari letrar, gjuhësor e stilistikor, por Rrugova solli në procedetë e kritikës sonë moderne një instrumentar terminologjie, nocionesh e konceptesh, të afta të organizojnë lëndën letrare sipas principesh artistike, në një kohë kur qasjet ideologjike e sociologjizmi vulgar po shpinin në një keqkuptim të madh midis anës estetike dhe banalitetit interpretativ.
 
Veprat e Rugovës qenë fatpërcaktuese për shumë studiues e filologë më të rinj, në thelb dishepuj të metodës së Rugovës, duke krijuar një seri studimore ku plekseshin metodat strukturale me ato hermeneutike.
 
Bazë e këtyre modeleve u bënë veprat e Rugovës “Strategjia e (mos)kuptimit”, “Refuzimi estetik”, “Vepra e Bogdanit” etj., që patën një ndikim vendimtar në përvijimin e shkencave filologjike, kryesisht në Prishtinë. Mjaftojmë të përmendim bashkëmendimtarët dhe pasuesit e Rrugovës në këtë drejtim si Mensur Raifi, Rexhep Ismajli, Gani Bobi, Sabri Hamiti – deri tek më të rinjtë – Basri Çapriqi, Milazim Krasniqi, Abdulla Konushevci, Kujtim Shala etj..

Duke zhvilluar në kulturën shqiptare strategjinë e kundrimit të së bukurës si kategori estetike, distancën e pastër me veprën, të pamanipuluar nga ideologjia nacional-komuniste dhe sociologjizmi vulgar, Rugova përgatiti me veprat dhe shkollën e tij një lexues të thellë e aktiv, i cili të kërkojë në artin letrar jo utilitarizmin dhe marrëdhënien e përkohshme koniukturale, por vlerat e përjetshme të së bukurës që trashëgohen dhe u transmetohen brezave si testament që përcakton konstitucionin shpirtëror, estetik dhe etik.
 
Pa një konstitucion të tillë, nuk formohen elitat dhe vetëdija kombëtare e inteligjencies, jashtë dogmatizmave dhe klisheve ideologjike dhe rrjedhimisht, pa përgatitjen e kësaj vetëdije, nuk do ta kishim vetëdijësimin e elitës kulturore e politike të inteligjencies kosovare sot. Si për njërën, ashtu edhe për tjetrën, Rrugova është Ati dhe pagëzuesi.
 
Ai është mësuesi dhe profeti që e përgatiti popullin e vet për t’ia kthyer civilizimit europian – aty ku i ka rrënjët Kosova dhe gjithë shqiptarët. Ky është dhe testamenti i Rrugovës: ai pret të lexohet qartë. Çdo keqlexim, është devijim fatal nga kauza e profetit.

Tiranë, 24 janar 2006