Eqrem Kryeziu: Udhëheqja kolektive është model i Titos-turp për LDK-në

page

Prishtinë, 2 prill 2005 – Nënkryetari i LDK-së dhe kryetar i KK të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, ka thënë për numrin e sotëm të gazetës “Lajm” se është turp për LDK-në që të huazojë modele të udhëheqjes kolektive, të cilat modele janë provuar tashmë nga shoku Tito. “E kam thënë publikisht edhe më parë, LDK duhet ta ketë patjetër kryetarin e vet. Udhëheqja kolektive është model tashmë i provuar nga shoku Tito. Është turp për LDK-në të huazojë modele të atilla. Tani me dispozita të statutit, kryetari Rugova e emëron ushtruesin e detyrës së kryetarit të partisë, i cili mund të jetë secili nga anëtarët e kryesisë dhe detyra e tij do të duhej të ishte që në afat sa më të shkurtër ta konvokojë Kuvendin e LDK-së për ta zgjedhur me vota kryetarin e LDK-së. Kur do të bëhet kjo? Unë nuk e di, por e di se vonesa e devalvon LDK-në,” ka thënë ai.