Surroi: Presidentin Rugova nuk mund ta zëvendësojë askush

Veton Surroi

Sipas Veton Surroit, lider i partisë Ora dhe anëtar i Ekipi Negociator, formën e veprimtarisë politike të Presidentit Rugova nuk mund ta zëvendësojë askush. “Nuk mund të ketë të atillë brenda LDK-së dhe jo vetëm brenda LDK-së, por as brenda partive të tjera, prandaj as mos të pretendohet një çështje e tillë”, tha Surroi për gazetën “Koha ditore”.
Por megjitatë, sipas Surroit, i takon LDK-së si obligim kushtetues që ta propozojë nga radhët e saj një kandidat për president të vendit, ndërkohë që ai kërkon që ky kandidat të jetë i pranueshëm edhe për të tjerët.

Në këtë rast të përcaktimit të LDK-së për njeriun e saj, thotë Suerroi, do të ishte mirë të konsultohet edhe opozita që të ketë ketë përkrahjen e plotë të saj.

Më tej Surroi thotë se nuk mund të ketë delegacion të Kosovës nëse nuk zgjidhet Presidenti i vendit, edhe pse, sipas tij, me vdekjen e Presidentit Rugova, fati i delegacionit ka marrë fund.

“Për Grupin Negociator vdekja e kryetarit Rugova do të thotë edhe fund i grupit ose i delegacionit, çfarë ka qenë, sepse delegacioni kosovar është ndërtuar mbi mundësinë e rolit prijës të Dr. Rugovës”.

Ndërkaq duke folur edhe për zgjedhjen e kreut partiak të LDK-së, Surroi tha për gazetën “Express”, se udhëheqja e saj duhet “të marrë përgjegjësinë historike në këto momente” dhe të vendosë se kush do të jetë kryetari i saj deri në zgjedhjet partiake. Ndërsa, shton “këtu ne nuk mund të përzihemi”. Po në këtë intervistë, sipas Surroit, “brenda LDK-së ka struktura prodemokratike, por edhe struktura jodemokratike”.

Ai tërheq vërejtjen se Kryesia e LDK-së gjatë propozimit të kandidatit të saj “ta ketë parasysh edhe një dimension historik, të reflektojë për atë që ndodhi gjatë ditës së varrimit dhe gjithë këto ditë. Kjo vdekje ka treguar nevojën e popullit të Kosovës që të jetë i unifikuar, të ndajë edhe pikëllimin edhe ambicien për të ardhmen”, është shprehur Surroi.
Prishtinë, 28 janar 2006