Besnik Mustafaj: Rugova është ndër figurat e mëdha evropiane të shekullit XX

Image

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, është shprehur se Presidenti Ibrahim Rugova është ndër figurat e mëdha evropiane të shekullit XX dhe se roli i tij është i pazëvendësueshëm.
“Ky është një moment i rëndë për të gjithë. Nëse duhet ta them me dy fjalë, vlerësimi im për Rugovën shprehet me faktin se sot Kosova është në prag të pavarësisë, sepse pa kontributin e tij Kosova nuk do të ishte sot këtu ku është. Pra, nuk dua t’i jap individit rëndësi më shumë se ç’presupozohet në historinë moderne, por roli i figurave të mëdha të historisë, megjithatë është i pazëvendësueshëm. Në këtë kuptim, Rugova futet tek ato figura të mëdha evropiane të shekullit XX”.
Mustafaj në një intervistë televizive tha se fakti negociatat për pavarësinë e Kosovës u shtynë për disa ditë do të thotë që Rugova ka një histori të jashtëzakonshme.
“Asnjë shqiptar, asnjë ballkanik nuk ka mundur të ketë kaq shumë histori”, tha Mustafaj.
E veçanta e personalitetit të Rugovës, tha më tej Mustafaj, është se “ai arriti të krijojë një frymë, pra nuk bëri kalorësin e vetmuar, nuk e ndërtoi veten e tij si miti i Gjergj Elez Alisë, si të thuash, por veproi vërtet si një misionar i madh, mbolli frymën e tij në të gjithë shoqërinë e Kosovës, gjë që është madhështore”.
Rugova, tha ai, arriti të bindë të gjithë komunitetin ndërkombëtar se kjo është një frymë që i jep Kosovës të drejtën morale dhe politike të jetë një vend i pavarur. 23 janar 2006