Bajram Kosumi: Presidenti Rugova do të mbetet figura më e fuqishme politike dhe simbol i pavarësisë së Kosovës

Image

Lajmi për vdekjen e Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova është lajm i dhimbjes së madhe për gjithë Kosovën dhe qytetarët e saj, – thuhet në deklaratën e Kryeministrit Bajram Kosomi.
“I shpreh ngushëllimet e mia më te sinqerta familjes së Presidentit Rugova dhe bashkëndjejë dhimbjen me te.

Unë besoj fuqishëm se familja e Presidentit Rugova do ta gjejë forcën për të tejkaluar dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut më të dashur të saj.

Vdekja e Presidentit është një humbje e madhe për Kosovën.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta qytetarëve të Kosovës dhe i ftoj që të gjithë të marrin shembullin dhe idealin e Presidentit tonë në angazhimet për pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Rugova me vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës ka qenë simbol i bashkimit dhe në historinë e re do të mbetet figura më e fuqishme politike dhe simbol i pavarësisë së Kosovës.

Njeri i durimit dhe i forcës intelektuale, presidenti Ibrahim Rugova, ka trasuar rrugën e tolerancës, dialogut, të përkushtimit dhe mirëbesimit.

Edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo nëpër botë Presidenti Rugova ka krijuar imazhin e njeriut të pavarësisë.

Në këto çaste pikëllimi, Kosovës i duhet më shumë se kurrë bashkimi dhe forca jonë për të tejkaluar dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut të paqes dhe të pavarësisë.

Pjekuria dhe bashkimi jonë në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën duhet t’i shërbejë ndërtimit të së ardhmes sonë, themelet e së cilës i ka vënë Presidenti Rugova”. 21 Janar 2006