Ah Rugova

Ibrahim Rugova

 

Shenjtorët, Profetët, Gjenialët, kanë qenë janë e do të jenë njerëz mes njerëzve si gjith’ njerëzit. Ah Rugova është dëshmia.
Me vetëm fjalë nuk mund të thuhen veçse fare pak prej atyre që mendja lodhet, gjoksi zjen, zemra rreh. Ah Rugova është prova.
Dhemshuri, Mëshirë, Dashuri, nuk janë fjalë si gjith’ fjalët që i merr era, por vet’ era, tufani, uragani. Po Ah Rugova pra Ah Rugova, kush tjetër veçse Ah Rugova mundet me qen’ Dashuria, dhemshuria.
Njeriu mund të nderohet, krenohet, lartësohet, ndritet pa fund, jo vetëm për ato që i bën, por edhe për ato që nuk i bën, siç janë shpifjet që nuk shqipton, klithmat që nuk lëshon, sharjet që idhnojnë dhe plot të tjera të zeza të tilla. Nuk ka idiot të mos e dijë se i tillë ishte Ah Rugova.
Shqiptaria sherret i ka sheshit, tmerret i ha me bukë, zgjyrën nuk e fsheh, turpinja di gjith’ bota, ndërsa vlerat i ka të fshehura, të ndryra, tek vetëm disa individëfort’ të rrallë të cilët çfaqen aty-këtu në historinë e saj si kometa në fluturim ndriçues duke u vet’ djegur. I tillë ishte Ah Rugova.
Vetëm në një fshat të Kosovës, ka aq urtësi, kanun, respekt, rregull, qetësi, paqe, harmoni, dëshirë për punë, patriotizëm, se sa në krejt Shqipërinë. Më mirë se të gjithë këtë e ka dit’ Ah Rugova.
Në televizionet kosovare nuk çfaqen kurrë hajdutë. Me hajdutin kosovar kjo nuk mund të ndodhi kurrën e kurrës. Ai preferon t’ja sharrojnë fytin a t’ja çajnë gjoksin me sqepar para se t’ja marrin erëzin para gjindjes.
Në Kosovë Femra nderohet aq shumë sa po të jesh i shoqëruar me një Femër nuk mund të ndodhi kurrë të afrohet dikush të të shqetësojë. E nëse kjo gjithsesi ndodh, këtë atje gjaku e ndan.
Shtëpitë e fshatrve në Kosovë janë pothuaj të gjitha tepër të mëdhaja kështjella me mure të trasha të larta.
Në fshatrat e Kosovës si në gjithë botën ka edhe atje fshatarë të sëmurë me zemër e me tension. Por në Kosovë nuk mund të gjesh dot asnjë bujk të jargavitet duke u ankuar; “Jam me zemër”. Sepse në Kosovë bujku shkon në arë pa gdhirë dhe kthehet nga ara kur është ngrysur.
Në secilin prej fshatrave të Shqipërisë ka nga disa kafene. Në Kosovë është shumë e vështirë të gjesh katund me kafene.
Kosova është përgjithësisht më pak e lexuar se Shqipëria. Por në Prishtinë ka grupe miqsh seriozë, ishuj qytetarie, adhurues diturie, me rregulla të hekurta sjelljeje aristokratike të cilët snobit llomotitës të Tiranës as qurret nuk ja hedhin, tek pragu nuk e qasin.
Fush’ Kosova, mijëra sorra të zinj mbi at’ fushë, luginëza ku u therën ballkanasit me turqit, Sharri, Drenica, Istogu, Prizreni, Rugova, Ah Rugova, janë të gjitha vende ëndërrash marramendëse, vegimesh trushplodhëse më të bukur se në përralla ku mornica t’kalojn’ nëpër kocka.
Në katundet e Kosovës mund ta provosh kënaqësinë e pafundme të takohesh të shtrohesh të bësh muhabet të mbetesh me gojë hapur me eruditë të heshtur, latinistë, kritikë Arti, që ta thonë përmendësh Platonin, Virgjilin, Danten, Rilindasit me krejt ç‘kanë shkruar, Lasgushin, Fishtën një për një, Kadarenë po ashtu.
Kurrkush në botë nuk i ka ditë këto më mirë se Ah Rugova
Ah Rugova, nuk shqiptoi kurrë një fjalë të keqe për kërrkënd në botë.
Ah Rugova, Ai fjalëpaku, nuk mori pjesë kurrë në ndonjë grumbullim, miting, apo debat publik politik.
Ah Rugova i i fitoi dy herë zgjedhjet pa bërë absolutisht asnjë premtim elektoral.
Askush në Historinë e Shqipërisë nuk ka ditur ta shndrrojë forcën e ndjeshmërisë dhe brishtësisë njerëzore në forcë politike në këto kushte dhe në këto përmasa si Ah Rugova.
Nuk e kishe ditur se Ah Kosova dhe Ah Rugova janë pikërisht të tilla, dhe Ah po të ikin lot ?
Loto’ dhe lutu.
Për më njerëzorin, më fisnikun, më aristokratin, më madhështorin, që i kryu të gjitha punët duke pi raki me tonelata dhe duke tymos cigare me kilometra

Shkrimi nga Edison Ypi