Donika Gërvalla: Haradinaj me “Shqiponjat e zeza” i kërcënoi oficerët e FARK-ut dhe Salih Çekajn

10157276_10202041153655090_7720487402911027084_n

Çfarë tha Donika në akademinë përkujtimore me rastin e 15-vjetorit të rënies së Salih Çekajt….?!

të dashur miqë,

Më lejoni të filloj më një përjetim të vogël.

Në përvjetorin e Betejës së Koshares u ngjita këtë vit edhe unë në Koshare. Herën e kaluar mezi arrita për shkak të rrugës tepër të keqe, por ajo çfarë na priste këtë vit i tejkalonte parashikimet e mia. Thua se nuk dihet data e Betejës së Koshares, varret ishin prishur, trupat ishin zhvendosur në institutin përkatës në Prishtinë, dhe mes grumbujve të dheut dhe zhavorrit, miq, familjarë dhe bashkëluftëtarë të trimave të Koshares shkëmbenin kujtimet e tyre.

Në mes të atij zhavorri takova pas më se 20 vitesh Halilin. E njihja nga Tirana ku pat studiuar histori, pasi ishte larguar në fillim të viteve 80 nga Kosova për t’iu shmangur përndjekjes nga ana e policisë serbe. Halilin e kisha në kujtesë si shumë gazmor dhe të këndshëm. Në Koshare po ky Halili, i ardhur në luftë nga Franca, në ndërkohë i plagosur 4 herë, më tregoi se ishte i pari që e kishte gjetur të vrarë Salihin në pikën prej nga vrojtonte lëvizjet e armikut dhe që gjatë përpjekjeve për ta tërhequr trupin e tij, pa e njohur fillimisht se kush ishte, ishte plagosur edhe vetë dhe ishte detyruar të tërhiqej për t’u mjekuar dhe për të dërguar shokë të tjerë të tërhiqnin trupin e Salihit. Halili më siguroi – dhe unë vërtet shpresoj shumë që Halili të ketë të drejtë – se nga pozicioni në të cilin e kishte gjetur, nuk kishte asnjë dyshim që Salihi ishte vrarë nga armiku që kishte përballë.

Ndërkohë që fliste Halili mua m’u kujtua ajo natë e prillit 1999 kur mora lajmin për vrasjen e Salihit dhe gjatë rrugës së gjatë nga Hamburgu në Stuttgart nuk më largohej nga mendja buzëqeshja e tij dhe fjalët e tij të buta. M’u kujtuan bisedat e rënda të atyre ditëve, hamendjet e familjarëve se si dhe kur t’iu tregonin fëmijëve për vdekjen e bababit. M’u kujtuan ata mijëra vetë që erdhën në ditët në vijim në Stuttgart për t’i qëndruar pranë familjes në ato ditë të rënda.

Juristi, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, luftëtari i lirisë Salih Çekaj është një ndër figurat qendrore të rezistencës civile dhe ushtarake në Republikën e Kosovës. Unë jam shumë e lumtur dhe krenare ta kem pasur një personalitet të tillë koleg, bashkëveprimtar dhe njëkohësisht mik vëllazëror për shumë vite me radhë.

Përgjegjësia që na ishte ngarkuar atë kohë ishte e madhe: ndërtimi i një shteti të pavarur në kushte të okupimit. Kujt nuk i kujtohet koha e represioneve masive para luftës, përpjekjet dhe puna e palodhshme e qindramijëra aktivistëve për ndërtimin e sistemit të pavarur sidomos të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.

Salih Çekaj ishte një prej organizatorëve kryesorë të ndihmës solidare për gati 2 milion njerëz. Në një ditë si kjo e sotmja më lejoni të theksoj një gjë: Heronjtë tanë janë ata që me armë në dorë luftuan për çlirimin e Kosovës. Por heronjtë tanë janë dhe të gjithë ata që në ato kohë të vështira nuk i lanë në baltë familjet në Kosovë, sakrifikuan me vite të tëra dhe në këtë formë mundësuan rezistenën civile dhe lirinë e Kosovës. Arritëm megjithë represionin e regjimit të Millosheviçit dhe ndihmësve të tij në Kosovë që gjatë atyre viteve të ruajmë një gjë elementare: identitetin tonë, dinjitetin tonë, krenarinë tonë.
Salih Çekaj ishte një burrë i urtë, por trim i vendosur dhe krenar. Ai edhe sot na bën të ndihemi krenar që patëm në mesin tonë.

Edhe atëherë, kur dhuna serbe e detyroi të bënte hapin nga beteja civile në atë ushtarake, Salih Çekaj ishte një figurë me ndikim të madh. Ai gëzonte autoritet, por mbi të gjitha ishte vet i vendosur dhe në këtë mënyrë arriti të përfitojë figura të fuqishme për luftën e përbashkët. Arriti të përfitojë më të mirët për të luftuar në kuadër të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, në urdhrin e komandantit suprem, Presidentit Rugova.

Sali Çekaj ishte koka strategjike, një prej shtyllave kryesore të Republikës në luftën kundër armiqve të Republikës.

Ata që luftonin kundër armikut, por jo edhe për Republikën, dhe që njëkohësisht përpiqeshin të instalonin regjimin e tyre të padrejtë – edhe ata e konsideronin Salihin si armik. Drejtësia është armiku i natyrshëm i dhunës dhe i krimit. Salih Çekaj në terren mbronte drejtësinë. Kjo drejtësi, legjitimeti i Republikës dhe i Presidentit të saj, për të cilat Salihi qëndronte i papërkulur, ishin një provokim për shtabet e vetëquajtura të përgjithshme, por edhe për ata krimininelë, të cilët para sysh nuk kishin Republikën e Kosovës dhe njerëzit e saj, por interesat e tyre personale.

Më lejoni të jem e qartë: unë kam nderim të thellë për të gjithë trimat e luftës. Por guximi nuk është gjithnjë trimëri. Guximin e ka edhe hajni, edhe krimineli ordiner. Guximi pa nder nuk është trimëri, dhe këtë e dimë të gjithë më së voni që nga koha e Skenderbeut.

Jo të gjithë janë të lindur për t’u bërë trima, sepse trimëria kërkon dije, horizont dhe karakter. Salih Çekaj ishte një prej këtyre trimave. Ai ishte trim i madh ndaj rreziqeve që vinin nga forcat serbe. Por ai ishte edhe trim ndaj rreziqeve që vinin nga shqiptarë të papërgjegjshëm.

E vërteta duhet thënë hapur, edhe atëherë kur është e hidhur. Salih Çekaj kërcënohej nga vrasësit e Millosheviçit, sepse luftonte për Republikën e Kosovës. Por Salih Çekaj kërcënohej edhe nga shqiptarë të papërgjegjshëm, pikërisht për të njëjtën arsye, sepse luftonte pa kompromis për Republikën e Kosovës.
Në janar 1999 mbahej konferenca e degëve të LDK-së në diasporë. Kjo është hera e fundit që jam parë dhe kam biseduar më gjatë me Salihin. Gjatë njërit prej pushimeve te konferencës më pat thënë: „Në front jemi të detyruar të ruajmë gjoksin nga armiku dhe shpinën nga horrat tanë“.
Çfarë turpi!

Ky turp nuk bie mbi trimat që luftuan për lirinë e vendit. Këtë turp ta mbajnë ata frikacakë, të cilët edhe sot nuk i ndalin kërcënimet, por e dinë të vërtetën. Ky turp bie mbi të gjithë ata që edhe pas luftës i drejtuan armët e tyre kundër shqiptarëve, që vranë për të vrarë të vërtetën, për të dobësuar Republikën tonë.

Kosova do të mbetet aq kohë e dobët, sa ne shqiptarët të mos kemi fitur fuqinë tonë të hershme, e cila na solli atë që kemi sot: shtetin tonë, të pavarur nga Serbia.
Turpi bie sot edhe mbi të gjithë ata që e dinë të vërtetën dhe heshtin. Por në radhë të parë bie mbi ata që të vërtetën e shitën për shuma të shtrenja parash, të cilët sot ulërijnë së bashku me ujqit sepse kanë para, kanë shuma marramendëse para.

Vrasjet gjatë dhe pas luftës janë një njollë turpi në historinë tonë aq krenare. Kjo vlen edhe për sulmet ndaj të vërtetës. Ai që vret të vërtetën, vret nderin dhe dinjitetin tonë.
Mirëpo e vërteta rreth vrasjeve nuk mund të fshihet përgjithmonë. E vërteta nuk mund të ngujohet më gjatë. Ne nuk jemi më në vitin 1914 por në vitin 2014, në kohën e Facebook-ut, Youtube-it dhe internetit.
Gjithkush e di që FARK-u aty ku veproi e mbrojti brenda mundësive rë veta me dinjitet Republikën dhe popullsinë civile të pambrojtur.

Shumë pak e dijnë deri sot, por do ta dijnë mirë në të ardhmen se çfarë ndodhi atë natë kur Ramush Haradinaj me Shqiponjat e tij të zeza në mbrëmjën para Betejës se Logjës i kërcënoi oficerët e FARK-ut dhe se si këta me mençuri e shmangën vëllavrasjen duke mos lejuar që Ramushi i vogël të rrezikojë çështjen sublime të luftës kundër forcave serbe përmes ndezjes së konfliktit ndër shqiptarë. Ishte mençuri dhe trimëri të mos rrezikohej lufta e përbashkët kundër forcave serbe.

Shumë vetë e dinë dhe e heshtin turpin e madh të atyre banditëve të papërgjegjshëm që nëpër Kosovë shëtisnin me urdhër arresti kundër Salih Çekajt, të nënshkruar nga figura tërësisht të diskretituara sot në Kosovë. Ose marren e atyre horrave të papërgjegjshëm, të cilët morën peng luftëtarë të FARK-ut, me shpresë që në mesin e tyre ndodhej edhe Salih Çekaj. Nga zemërimi që iu kishte „shpëtuar“ për duarsh Salihi, plagosin një prej njerëzve të tij të afërt, dhe pasi i rrahin dhe duke shtënë si kauboj në ajër i vënë para xhipit dhe i ndjekin të rrahur dhe të plagosur nëpër fshat.

Çfarë frikacakesh të paftyrë! Kë e çudit që këta horra sot kanë frikë nga e vërteta?
Nuk është çudi që kanë vrarë shumë e shumë veta duke u përpjekur të vrasin dhe mbysin të vërtetën.
Ndoshta duhet pasur mirëkuptim edhe për të gjithë ata që pas luftës u strukën dhe u frikësuan nga brutaliteti i paparë i këtyre njerëzve.

Por, si popull kemi paguar një çmim tepër të lartë sepse kemi lejuar që e vërteta të vritet dhe të shuhet pothuajse tërësisht nga këta kriminelë. Ne e kemi humbur respektin e njerëzve rreth nesh, respektin e miqve tanë, respektin e atyre që na ndihmuan të çlirohemi nga forcat brutale të Millosheviçit.
Shqiptarët janë një popull me një traditë dhe kulturë të lashtë. Amerikanët, gjermanët dhe të tjerët që hynë në luftë për të na shpëtuar, e dinin që në mesin tonë kishte njerëz si Presidenti Rugova, Salih Çekaj dhe të tjerë. Ata patën besim që njerëz të tillë, me të gjithë bagazhin e tyre politik dhe intelektual do të silleshin me përgjegjësi jo vetëm gjatë luftës, por me të njejtën përgjegjësi do të silleshin në kohët e vështira që do ta pasonin luftën.

Në vend të tyre erdhën ata, të cilët punuan kundër Kushtetutës, kundër Republikës dhe për xhepat e tyre. E rropën vendin, instaluan një regjim të frikës dhe e zhytën Kosovën në llum, shumë thellë në llum. Ata flasin për Kosovën por në mend kanë vetëm përfitimet e tyre. Ata politikën e bëjnë për xhepin e tyre dhe jo për njerëzit në Kosovë.

Edhe gjatë luftës Salihi ka qëndruar i palëkundur në qëndrimet që ka pasur para shpërthimit të hapur të luftës: Republika e pavarura, civile, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë.
Kanë kaluar 15 vjet nga përfundimi i luftës dhe më në fund kemi vendosur si shoqëri të dënojmë ata pak kriminel nga radhët tona dhe të nxjerrim të vërtetën në shesh. Ne kemi pritur tepër gjatë, dhe kriminelët, edhe pse për fat në numër shumë të vogël kanë shpresuar ta kenë vrarë përfundimisht të vërtetën.
Kjo nuk do të kishte ndodhur nën drejtimin e njrëzve të civilizuar dhe të përgjegjshëm. Ne nuk do të duhej të kishim lejuar që ata pak kriminel ta marrin peng të gjithë vendin, ta zhvasin dhe krahas pasurisë, t’ia vjedhin edhe dinjitetin. Do të duhej që trimat t’i kishim kujtuar me respekt, ndërsa drejtësia të kishte thënë fjalën e saj rreth kriminelëve. Ne, shqiptarët, nuk jemi një popull kriminelësh, as i kriminelëve ordiner dhe as i kriminelëve të luftës. E gjithë bota e di se cilët janë kriminelët e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan.

Për shqiptarët vlen: askush nuk ka nevojë të frikësohet nga gjykata speciale – vetëm kriminelët, dhe siç e dimë të gjithë, numri i tyre është i vogël. Heronjtë tanë së shpejti nuk do të jenë më peng i kriminelëve, imazhi i tyre nuk do të ndotet më prej tyre.

Do të na nevojitet gjatë rrugës guxim dhe kurajo kur të shohim, që heronjtë e vetëdeklaruar nuk kanë qenë të tillë. Mirëpo do të fitojmë edhe më shumë fuqi nga fakti, që historia na ka dhuruar trima dhe heronj të vërtetë. Dhe Salih Çekaj ishte njëri nga heronjtë tanë vërtet të mëdhenj dhe kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet edhe atëherë, kur të tjerë do të kenë humbur në pluhurin e historisë.
Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kanë mbrojtur vendin tonë, dhe për këtë iu kemi borxh nderimin e përjetshëm.

Tani iu ka ardhur radha kriminelëve dhe jo çlirimtarëve. Asnjë i vdekur nuk do të preket, asnjë heroi nuk do t’i cënohet dinjiteti. Përkundrazi: nderi i i tyre do të rrezatojë edhe më ndritshëm kur të kemi gjetur forcën t’i vëmë para përgjegjësisë të gjithë ata të pandershmit për veprat e tyre të turpshme.
Kush ecën sot në Kosovë dhe dëgjon reagimet e njerëzve të thjeshtë në rrugë e ka të qartë një gjë: Frika është shkrirë. Në vend të frikës është rritur zemërimi. është zemërimi ndaj kriminelëve, të cilët me brutalitetin e tyre duan të shkatërrojnë vlerat tona, krenarinë tonë, me qëllim që ta kenë më të lehtë me kërcënimet e tyre, me fshehjen e krimeve të tyre.

Zemërimi nuk është mjeti i vetëm kundër frikës. është guximi për të thënë të vërtetën dhe mënçuria për të mos e shitur dinjitetin dhe krenarinë e shqiptarëve.
Falë trimave tanë, kohët kanë ndryshuar. Salih Çekaj ishte trim i madh. Ai ishte aq i mençur dhe i drejtë. Ai është një prej personaliteteve të mësha të Republikës sonë, në ndërtimin e së cilës luajti rol vendimtar dhe të cilën e mbrojti me jetën e tij.

Dua ta përmbyll me një vërejtje shumë private. Gjatë kohës që Salihi ndodhej në luftë, kam komunikuar me të rregullisht. Çdo herë që bisedonim më porosiste të isha e kujdesshme. „Ti je vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe në gojë të ujkut“, më pat thënë njëherë. Atëherë e kam pyetur veten se ku e gjen forcën ky njeri, i çdo ditë i qëndron vdekjes ballë për ballë, të më japë mua në Gjermani këshilla të jem e kujdesshme. Sot e di që madhështia e njerëzve të tillë nuk mund të matet me fjalë.
Ta mbrojmë ne që e mbijetuam atë kohë amanetin e tij. Ta mbrojmë Republikën e Kosovës. Sot, këtu dhe në Kosovë.

I paharruar do të jetë kujtimi për Salih Çekajn dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Përjetësisht!”