Mark Krasniqi: Presidenti Rugova një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës

Image

 

Me vdekjen e Presidentit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, Kosova ka humbur burrin më të madh të Kosovës së re, njeriun që e shkroi historinë e Kosovës së Pavarur”, thotë në telegramin e ngushëllimit kryetari i PSHDK-së, akad.Mark Krasniqi. “Kosova sot mori lajmin më të rëndë, më të vështirë, më të dhembshëm, më të pikëllueshëm, lajmin për vdekjen e Presdientit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Populli i Kosovës sot humbi njeriun më të madh të kohës së re të Kosovës, personalitetin i cili i ngjalli dhe i ndërtoi shpresat e shqiptarëve të Kosovës, për liri, demokraci e Pavarësi. Dr.Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh i kohës së re, ai është autor i shkrimit dhe i bërjes së historisë së lavdishme të Kosovës në këto dy decenie të fundit. Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetasi i parë e më imadhi i Kosovës i cili krijoi miqësi të përhershme me vendet demokratike të Evropës e botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr.Ibrahim Rugova është lideri i parë i shqiptarëve u cili vuri themelet e shtetit të Pavarur të Kosovës. Ai është i pari Kryetar i Shtetit të Kosovës, i Kosovës së lirë e demokratike, i Kosovës së Pavarur.
Burrat e mëdhenj e shkruajnë vet historinë! Burrat e mëdhenj nuk vdesin kurrë! Presidenti Ibrahim Rugova, ishte një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës! Zoti e bekoftë dr.Ibrahim Rugovën! Zoti e bekoftë familjen Rugova! Zoti e bekoftë Kosovën e Pavarur për të cilën luftoi gjatë gjithë jetës së tij dr.Ibrahim Rugova!”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimi të akademik Mark Krasniqi, kryetar i PSHDK-së.

Gjithashtu akad.Krasniqi në emër të tij personal dhe të partisë, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. 21 Janar 2006