Kastriot Myftaraj: Një profil politiko-intelektual i Hashim Thaçit

1

 

Kur do të botohej Fjalori Enciklopedik Shqiptar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në 2009, autori i deklaruar i jetëshkrimit të Hashim Thaçit, Haki Kasumi, nga Instituti i Historisë i Prishtinës, u bë burim anekdotash pasiqë e përcolli procesin teknik deri në faqosjen e librit dhe prodhimin e tij në shtypshkronjë për të parë se mos ndryshohej ndonjë detaj në jetëshkrimin e Kryeministrit të Kosovës. Merret vesh, jetëshkrimi ishte shkruar sipas udhëzimeve të vetë Thaçit, çka duket qartë nga përmbajtja e tij. Por ironia është se jetëshkrimin e kishte ndryshuar vetë Thaçi, në versionin zyrtar që ka publikuar në faqen elektronike të Qeverisë së Kosovës. Sipas jetëshkrimit zyrtar të Hashim Thaçit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), thuhet se Thaçi: “Kreu shkollën e mesme në Skënderaj dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Fakultetin e Historisë të UP (1993)”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Botim i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, vol. 3, f. 2771)
Se për çfarë diplomoi Thaçi, kjo gjë nuk thuhet asfare. Në jetëshkrimin zyrtar të Thaçit në faqen elektronike të Qeverisë së Kosovës, natyrisht të shkruar nga ai në vetën e tretë thuhet se: “Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, z. Hashim Thaçi me sukses të lartë i përfundon studimet në degën e Historisë”.
Në jetëshkrimin e Thaçit të botuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar në 2009, nuk thuhet që deri më atëherë ai të kishte kryer studime pasuniversitare. Por në jetëshkrimin zyrtar të Thaçit, në faqen elektronike të Qeverisë së Kosovës, thuhet se: “Në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996), i ndjek studimet postdiplomike në lëmin e historisë së Europës Juglindore dhe shkencave politike deri në fillim të vitit 1998”.
Por në Universitetin e Zurich (Cyrih) nuk pranohej diploma e një Universiteti zyrtarisht joekzistent si ai i Prishtinës, i cili ishte mbyllur me vendim të autoriteteve serbe që në 1990. Duke qenë se Thaçi ishte regjistruar në Universitetin e Prishtinës në 1989, atij nga autoritetet universitare zvicerane i njihej vetëm një vit studime universitare të rregullta në atë kohë. Thaçi, duke e ditur këtë gjë, u regjistrua për të kryer studime me korrespondencë edhe në Universitetin e Tiranës. Kur drejtori i shërbimit të fshehtë të Shqipërisë (SHIK), Bashkim Gazidede, u takua në fillim të viteve 1990 me një grup veprimtarësh shqiptarë të Kosovës, dhe i pyeti se çka kërkonin prej tij, të gjithë me përjashtim të njërit i thanë se duan të kryejnë përgatitje ushtarake. Vetëm njëri prej tyre i kërkoi që të diplomonte sa më shpejt në Universitetin e Tiranës. Ata të cilët kërkuan të kryejnë përgatitje ushtarake më pas u vranë në luftën për çlirimin e Kosovës. Ai i cili kërkoi një diplomë universitare sot është Kryeministër i Kosovës.
Me diplomën e Universitetit të Tiranës, Hashim Thaçi u regjistrua në Universitetin e Cyrihut për të kryer studime pasdiplomike. Por megjithatë Hashim Thaçi nuk e përmend kurrë se ai është diplomant i Universitetit të Tiranës. Në shkurt 2014, Hashim Thaçi me rastin e protestave studentore për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili mbrohej nga Qeveria tha me kërcënim: “Jemi dëshmitarë që nga viti 1991, edhe në kohën kur jemi pavarësuar si universitet, ka pasur politikë. Ka pasur edhe të atillë që pa fakultet, kanë kryer magjistraturë, pa shkollë fillore kanë kryer fakultet. Titujt shkencorë që nga viti 1991, më shumë kanë qenë politikë se sa shkencorë. Nuk po flas me emra, të gjitha partitë politike e dinë vetë. Nëse janë bërë akademikë me plagjiaturë, duhet t’iu vijë turp nëse flasin këtu. Ata janë nga të gjitha partitë politike. Unë nuk po flas për asnjë parti politike apo person. Ju bëj thirrje që ta bëjnë së bashku të kërkojnë verifikimin e titujve shkencorë që nga viti 1991.”
Thaçi do të bënte mirë që ta niste transparencën nga vetja duke treguar të vërtetën e diplomave dhe gradave të tij shkencore. Por duket se edhe Thaçi e di vetë, nëse shprehem sipas asaj që ai tha më lart. Kaq për profilin intelektual të Hashim Thaçit.
Sa për profilin e tij politik, Thaçi, në pikënisje e ka ndërtuar profilin e tij politik, si kundërvënie ndaj Ibrahim Rugovës, i cili nga ana e tij në pikënisje e kishte ndërtuar profilin e tij politik si kundërvënie ndaj Rrahman Morinës, mëkëmbësit serb të Kosovës, pasiqë krahinës iu hoq autonomia në 1989. Në jetëshkrimin zyrtar të Hashim Thaçit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), të shkruar nga miku i tij Haki Kasumi, ose më saktë nga vetë Thaçi në vetën e tretë, thuhet se Hashim Thaçi “Luajti rol kryesor në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga themelimi i saj në prill të vitit 1993, u caktua drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Botim i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, vol. 3, f. 2771)
Këtu, Hashim Thaçi, ashtu si dhe në raste të tjera, kërkon të na thotë se ai është emëruar Drejtor i Drejtorisë Politike në takimin që u mbajt në shtëpinë e Adem Jasharit në 5 prill 1993, ku është themeluar UÇK. Kështu del se Hashim Thaçi na qenka emëruar Drejtor i Drejtorisë Politike nga vetë Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Adem Jashari! Dhe meqënëse Adem Jashari kishte vdekur ai nuk mund t’ i përgënjeshtronte apo demantonte, si thonë në Kosovë, të gjitha këto. Nuk përjashtohet mundësia që kur u themelua UÇK, Adem Jasharit t’ i kenë thënë se duhet që të krijohet edhe një Drejtori Politike, dhe madje t’ i kenë sugjeruar edhe emrin e Hashës për drejtor të saj. Nuk ka dyshim se Adem Jashari as që iu kushtonte rëndësi këtyre detajeve. Për të kishte rëndësi që të krijohej UÇK. Drejtoria Politike e UÇK që prej fillimit kishte agjendën e saj të pavarur prej Komandës së UÇK, madje që i imponohej kësaj. Drejtoria Politike e UÇK ishte krijesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës klandestine stalinisto-enveriste të krijuar që në vitet tetëdhjetë sipas manualit kominternian të Frontit Popullor. Hashim Thaçi ishte përzgjedhur për të qenë në krye të Drejtorisë Politike që me anë të tij si student i ri, LPK të shfaqej me një imazh të ri në UÇK. Më pas, me Thaçin ndodhi si me Enver Hoxhën, i cili arriti që të bëhet pushtetmbajtës real duke i mënjanuar ata të cilët e shihnin si një kukull politike pa eksperiencë, të cilën mund ta komandonin ashtu siç komandohen kukullat nga dora e atij ku janë përqëndruar fijet që lëvizin kukullën.
Termi “Drejtori Politike” vinte drejtpërdrejt nga modeli kominternian i përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët jugosllavë me Narodnooslobodilaçka Vojska Jugoslavije (Ushtria Nacional-Çlirimtare e Jugosllavisë) dhe prej tyre u kopjua në Shqipëri nga komunistët dhe partizanët e Enver Hoxhës. Si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri, vazhdoi të ekzistojë Drejtoria Politike e Ushtrisë edhe për shumë vite pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
Nëse Drejtoria Politike e UÇK qenka krijuar që në vitin 1993, atëherë përse nuk e bëri me dije ajo ekzistencën e saj deri në fillim të vitit 1999? Pastaj si shpjegohet që me krijimin e UÇK-së posti tepër delikat i Drejtorit të Drejtorisë Politike iu besua një student 24 vjeçar të Historisë, i cili ende në atë kohë nuk kishte diplomuar as për gradën e parë të studimeve universitare? A nuk supozohej që Drejtoria Politike e UÇK të kishte për detyrë që të bënte analiza të zhvillimeve dhe situatave politike në Kosovë, Serbi, regjionin e Ballkanit dhe më gjerë në Europë dhe në botë, me synim të arritjes së përfundimeve mbi kohën dhe rrethanat e favorshme se kur duhej të niste lufta për çlirimin e Kosovës? Deri më sot nuk është paraqitur asnjë e dhënë, asnjë dokument, që të vërtetojë se Drejtoria Politike e UÇK-së ka kryer ndonjë veprimtari në Kosovë, apo jashtë saj, ku ka jetuar jo pak kohë Thaçi mes viteve 1993-1998. Nuk rezulton që Drejtoria Politike të ketë kryer ndonjë analizë në këtë periudhë, madje as më vonë dhe që të t’ i ketë bërë ndonjë sugjerim Komandës së UÇK, në lidhje me luftën që ishte duke u përgatitur. Nuk mund të thuhet se këto analiza janë bërë por se ato janë sekret, dhe as se ato kanë humbur, as se tekstet e analizave të tij u dogjën kur u mësy shtëpia e Jasharajve nga serbët, pasiqë ai ia kishte dorëzuar ato analiza, Komandantit të UÇK, Adem Jasharit. Në të vërtetë në raste të tilla mbahen kopje, dhe Hasha i kisha të gjitha mundësitë që të fshihte kopje për analizat e kryera në Kosovë, si dhe duhet t’ i kishte të gjitha ato që supozohet të ketë bërë jashtë Kosovës. Nuk është rastësi që deri më sot, ndonëse janë botuar shumë libra dhe studime për UÇK nuk është bërë asnjë studim dhe nuk është botuar asnjë libër i vetëm për Drejtorinë Politike të UÇK.
Nëse paska ekzistuar Drejtoria Politike e UÇK-së që nga prilli i vitit 1993, atëherë kjo Drejtori është përgjegjëse për vendimin politik të përzgjedhjes së momentit të nisjes së luftës për çlirimin e Kosovës. Vendimi për nisjen e luftës është gjithmonë politik. Prej këtej absurdi i akuzave të Thaçit ndaj Rugovës për qëndresën paqësore. Nëse Rugova mund të ngarkohet me përgjegjësi për qëndresën paqësore deri në 1993, atëherë nga viti 1993 e deri në 1998, përgjegjësia është e Drejtorit Politik të UÇK-së. Por, mund të kundërpërgjigjet Thaçi, Rugova i pati hipnotizuar aq fuqishëm shqiptarët e Kosovës me retorikën e tij të qëndresës paqësore, sa që ishte e pamundur të arrihej mbështetja për luftën pa kaluar vite, ashtu që populli të zhgënjehej nga Rugova.
Por sekreti i ndikimit të Rugovës te shqiptarët e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta ishte te mbështetja e qartë që kishte Rugova nga SHBA. Strategjia e lëvizjeve që do të bëheshin në Kosovë konceptohej në Washington dhe Rugova me “shtetin” e tij paralel nga njëra anë, e UÇK, në anën tjetër, qenë mjete taktike që përdoreshin në funksion të kësaj strategjie, duke u përzgjedhur koha e përshtatshme për njërin ose tjetrin. Këtë gjë e kuptuan shumë mirë shqiptarët e Kosovës. Prej këtëj fitoret e bujshme të LDK të Rugovës në të dy palë zgjedhjet e para që u mbajtën në Kosovë pas çlirimit, ato vendore të vitit 2000 dhe ato parlamentare të vitit 2001.
Drejtoria Politike e UÇK-së, që prej krijimit të saj në 1993 nuk ka qenë kurrë në funksion të luftës për çlirimin e Kosovës, por ka qenë thjesht një instrument i përdorimit politik të luftës eventuale që do të bënte UÇK, ashtu që një grup brenda saj të merrte pushtetin. Drejtoria Politike ishte pra një instrument për të zgjatur duart kah pushteti i pasluftës. Drejtoria Politike e UÇK ishte një lloj shoqërie aksionare e krijuar për të marrë dividendin e luftës eventuale. Nëse Thaçi qenka bërë Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së që në prill 1993, atëherë kjo duhet shënuar si data e nisjes së karrierës së tij politike. Se të gjitha akuzat që i bëheshin Ibrahim Rugovës nga kundërshtarët e tij politikë, kishin si bazë atë që Rugova e kishte nisur karrierën politike që në dhjetor 1989, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e më pas që prej vitit 1992 kishte qenë President Kosovës, i dalë nga zgjedhje klandestine. Rugova akuzohej deri edhe për emërtimin jugosllav, titoist të partisë së tij, “Lidhje”, në analogji me Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, përkatësisht Kosovës. Por vetë akuzuesit e Rugovës përdornin manualin jugosllav me origjinë kominterniane të Luftës së Dytë Botërore, dhe të periudhës së pasluftës, duke krijuar struktura si Drejtoria Politike e Ushtrisë.
Por enigma më e madhe e Drejtorisë Politike të UÇK ka të bëjë me Luftën e Prekazit dhe flijimin e familjes së gjerë të Jasharajve. Pyetja është se e kujt ishte vendim-marrja për sakrifikimin e Familjes së Jasharajve, e drejtuesve të UÇK, apo e Millosheviqit? Kjo në fakt ka të bëjë me atë se a e mori Millosheviqi vendimin se kur do të niste lufta në Kosovë, apo këtë vendim e morën drejtuesit e UÇK-së? Nuk ka asnjë dyshim se vendimi për mësymjen kundër shtëpisë së Jasharajve në Prekaz është marrë nga vetë Millosheviqi, i cili ka qenë i informuar edhe se brenda në shtëpi kishte shumë gra dhe fëmijë. Millosheviqi e dinte mirë se aksioni ushtarak-policor i kryer në Prekaz në mars 1998 do të bënte përshtypje të madhe ndërkombëtare dhe kryerja e tij ishte kapërcimi i “Rubiconit” për të. Nëse vendoste të kryente aksionin ushtarak-policor në Prekaz Millosheviqi me këtë merrte vendimin për të nisur luftën në Kosovë, duke konsideruar edhe implikimet eventuale ndërkombëtare të krijuara prej saj. Tashmë është e qartë se në atë kohë, Millosheviqi mendonte se kishte mirëkuptim të plotë ndërkombëtar për të kryer një aksion të gjerë antiterrorist në Kosovë, ose së paku ai mendonte se SHBA nuk do të qenë në gjendje që ta tërhiqnin NATO-n në një aksion ushtarak kundër Serbisë për shkak të Kosovës.
Kur serbët panë se pas sulmit të 22 janarit 1998 ndaj shtëpisë së Jasharajve në të vazhdoi të qëndronte krejt familja e e gjerë me gra e me fëmijë, ata nuk mund të mos kenë menduar se ky ishte një kurth. Në fakt e gjithë kjo histori, që nga 22 janari deri në 5 mars ka qenë një luftë nervash personale mes Adem Jasharit dhe Sllobodan Millosheviqit. Të gjitha të dhënat, për vetë implikimet ndërkombëtare që mund të kishte ngjarja për Serbinë dhe për Millosheviqin personalisht, shkonin natyrisht në tryezën e Millosheviqit. Ky i fundit e kuptonte se Adem Jashari me qëndrimin e tij në Prekaz në shtëpi, së bashku me gratë e fëmijët e familjes së gjerë, po e sfidonte duke i thënë: “Ne jemi, këtu, familjen nuk e largojmë, nëse guxon eja dhe na shfaros krejt sa jemi burra, gra e fëmijë. Por dije se unë nuk jam vetëm, pas shpinës suaj do të jetë UÇK, e me këtë rast do të të bëni në Drenicë një mal me kufoma disa herë më të madh se familja ime. Atëherë sakrifica ime do të shërbejë për të ta hedhur NATO-n mbi shpinë shumë shpejt”.
Të gjitha këto Millosheviqi i mendonte dhe i llogariste. Pas rreth një muaji e gjysëm ai arriti në përfundimin e saktë se, ndonëse asgjësimi i Jasharajve do të rriste shumë ndjeshmërinë për zhvillimet në Kosovë në Perëndim, nuk do të sillte si pasojë se Serbia të akuzohej për terrorizëm. Fakti është se edhe për disa muaj pas masakrës së Prekazit, Perëndimi duke përfshirë edhe SHBA nuk quajti si terroriste Ushtrinë dhe Policinë e Jugosllavisë (Serbisë), por vazhdoi që të quante kështu UÇK-në. Kjo me siguri që ndodhi për arsye se në kujtesën e Perëndimit gjenocidi ishte ende i lidhur me episodet me së paku qindra të vrarë të vrarë secili të Luftës në Bosnjë-Herzegovinë. Në Prekaz numri i kufomave shqiptare ishte dyshifror. Por Millosheviqi mund ta merrte vendimin për të shfarosur familjen e Jasharajve vetëm nëse ishte i sigurt se UÇK nuk do të ndërhynte në këtë luftë, cka do t’ i kishte ndërlikuar shumë gjërat për Serbinë. Këtë informatë Millosheviqi e kishte nga brenda UÇK, me shumë gjasë nga Drejtoria Politike.
Ajo gjë për të cilën nuk është folur kurrë është se çka bëri Drejtoria Politike e UÇK midis 22 janarit 1998, kur për herë të parë atë vit u mësy shtëpiaj e Jasharajve në Prekaz nga serbët, dhe 5 marsit kur u krye sulmi përfundimtar i serbëve mbi këtë shtëpi? Cilat kanë qenë analizat e Drejtorisë Politike për situatën e krijuar, me të cilat ajo e furnizoi Komandantin e Përgjithshëm? A ka qenë një vendim politik i Drejtorisë Politike të UÇK-së që Komandanti i Përgjithshëm i UÇK, çka ishte Adem Jashari, ta priste sulmin serb në shtëpinë e tij në Prekaz të Drenicës, bashkë me familjen e tij të gjerë ashtu që vetësakrifikimi i tij me familjen e gjerë, të mund të përdorej politikisht në rrafsh ndërkombëtar në të mirë çështjes së çlirimit të Kosovës? Nëse Drejtoria Politike e UÇK nuk ka mbajtur mbledhje mes 22 janarit dhe 5 marsit 1998, atëherë për çka është mbledhur më vonë ajo, për të ndarë postet kur u krijua e ashtuquajtura Qeveria e Përkohshme e Kosovës, në mars 1999?
Nuk mund të mos vërehet se ka diçka të pakuptueshme në të gjithë sjelljen e Ademit dhe të Hamzës, të cilët morën praktikisht vendimin për sakrifikimin e familjes së tyre të gjerë. Ngjarja e Prekazit është enigmatike edhe për faktin se të dy personat të cilët e dinin të gjithë të vërtetën, Adem dhe Hamzë Jashari kanë vdekur. Ademi dhe Hamza nuk do ta merrnin vendimin për sakrifikimin e familjes së gjerë, nëse nuk do të ishin të bindur se ky akt i shërbente një agjende ndërkombëtare, më saktë amerikane për çlirimin e Kosovës. Ata nuk do ta bënin këtë gjë, dua të them nuk do të vepronin në atë mënyrë që të merrnin parasysh sakrifikimin e krejt familjes së gjerë, në rast se nuk do ta dinin se vërtet ky akt i tyre ishte i nevojshëm që të ndryshohej perceptimi ndërkombëtar për UÇK, si një organizatë terroriste, posaçërisht në vendet e NATO-s, çka kishte më tepër rëndësi.
Në Washington dhe në London në atë kohë kishte natyrisht njerëz të cilët donin që të ndryshonte perceptimi ndërkombëtar në Perëndim për UÇK-në, nga organizatë terroriste, në një ushtri që mbronte popullsinë shqiptare nga gjenocidi i kryer nga forcat ushtarako-policore serbe. Dhe që të ndodhte kështu duhej një ngjarje dramatike, ashtu që faji të niste të bartej nga UÇK te Ushtria dhe Policia e Jugosllavisë (Serbisë), duhej të ndodhte një dramë ku forcat ushtarako-policore serbe të mësynin një shtëpi ku gjendej një familje e madhe, e vendosur për t’ u flijuar, ndërsa UÇK të hynte në këtë dramë si mbrojtëse e popullsisë civile.
Sjellja e Ademit dhe Hamzës, do të thotë vendimi i tyre për të sakrifikuar familjen e gjerë, bëhet e kuptueshme vetëm nëse mendohet se ishte dikush që shkoi te ata dhe iu bëri me dije një sugjerim, një kumt, që vinte nga shumë larg nga përtej Atlantikut, nga zyrat e Superfuqisë së botës, se nëse donin çlirimin e Kosovës, duhet të bëhej një akt flijimi i cili do të ndikonte që të niste të ndryshohej perceptimi i luftës së shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë. Dhe ky dikush nuk mund të ishte veçse nga Drejtoria Politike e UÇK-së, e cila merrte vendimet politike. Nëse ka qenë kështu, nuk është e nevojshme që kjo gjë të pohohet zyrtarisht, por megjithatë, nëse ka qenë vërtet kështu, atëherë dalin shumë pikëpyetje. A u mblodhën drejtuesit e UÇK-së për ta diskutuar sugjerimin e ardhur nga përtej Atlantikut? A u mor një vendim i përbashkët, apo ky iu la burrave të familjes Jashari? Më e besueshme duket që të jetë marrë një vendim i përbashkët i drejtuesve të UÇK-së, duke përfshirë edhe Ademin dhe Hamzën, por në këtë vendim ndikimin më të madh e pati sigurisht Drejtoria Politike. Me siguri që është vendosur se lufta e pritshme e Prekazit nuk do të ishte thjesht një luftë e familjes Jashari të ngujuar, por një luftë më e gjerë, lufta e parë e vërtetë e UÇK-së. Pra në këtë luftë do të kishte edhe të tjerë njerëz që do të vetësakrifikoheshin. Në një rast të tillë duhet të jetë bërë një plan dhe të jetë lidhur një besë.
Ademi dhe Hamza mendonin se, sipas planit dhe besës së lidhur UÇK ishte duke përgatitur kundërmësymjen, qoftë edhe duke llogaritur humbje që do të shkonin deri në 200-300 vetë. Nëse do të kishte pasur një kundërmësymje të UÇK gjatë mësymjes serbe në Prekaz në mars 1998, gjërat do të kishin marrë një kthesë krejt tjetër. Numri i civilëve shqiptarë të vrarë në Drenicë do të ishte disa herë më i lartë, se sa ndodhi në Prekaz. Në paskqyrje kjo nuk do të kishte qenë ndonjë humbje shtesë në Luftën e Kosovës se do të vriteshin që në mars 1998 një pjesë e atyre që u vranë në periudhën tjetër të Luftës. Përfitimi në rrafsh ndërkombëtar për reputacionin e UÇK në këtë rast do të kishte qenë shumëfish më i madh. Serbët do të gjendeshin befasisht me një skenë gjenocidi të përmasave të mëdha, të cilën ata donin që ta shmangnin në Luftën e Kosovës.
Por gjërat nuk shkuan sipas planit. Adem Jashari me familjarët e vet e bënë pjesën e tyre në dramë nga atdhedashuria dhe heroizmi. Edhe serbët e bënë pjesën e tyre në dramë, pjesërisht nga arroganca e tyre, që ishte llogaritur nga ata të cilët kishin nevojë për këtë dramë në zyrat vendim-marrëse në Perëndim. UÇK nuk e bëri pjesën e vet në këtë dramë. Jasharajt u prenë në besë nga Drejtoria Politike e UÇK. Jasharajt qenë vetmitarë të mëdhenj gjatë dy ditëve sa zgjati lufta. Askush nuk u shkoi atyre në ndihmë. Kuptohet se rrethimi serb i Prekazit nuk mund të çahej nga një aksion i UÇK-së, por kjo ishte munguesja e madhe në këtë luftë. Dhe ky ishte një vendim politik, i marrë qartësisht nga Drejtoria Politike e UÇK. Mënyra se si u zhvillua Lufta e Prekazit rriti shumë vetëbesimin e forcave ushtarako-policore serbe, dhe kjo ndikoi në krejt zhvillimin e mëpastajmë të veprimeve luftarake të forcave ushtarako-policore serbe kundër UÇK-së. Fakti është se nuk ka asnjë luftë tjetër të UÇK-së ku të jenë vrarë më tepër serbë nga shqiptarët se Lufta e Prekazit e marsit 1998. Në paskqyrje mund të thuhet me siguri se në ditët vendimtare që të nesërmen e luftës së 22 janarit në Prekaz dhe deri në përfundimin e luftës së marsit, UÇK, e gjendur nën ndikimin e Drejtorisë Politike, ishte në pozita pacifiste rugoviane. Drejtoria Politike e UÇK-së ishte humbësja e madhe e Luftës së Prekazit. Ndonëse kjo luftë pritej të ndodhte nga dita në ditë, që prej 22 janarit, gjatë rreth një muaji e gjysëm Drejtoria Politike nuk bëri madje asnjë përgatitje për ta evidentuar luftën e pritshme, duke marrë masa për të filmuar dhe fotografuar zhvillimet e saj, çka do t’ i shërbente shumë propagandës antiserbe të UÇK-së. Ndonëse serbët me siguri që do të vrisnin çdo shqiptar të cilin do ta shikonin me kamera televizive dhe aparate fotografike, përsëri mund të provohej që të bëheshin filmime dhe fotografime nga largësia, qoftë edhe duke u vetësakrifikuar disa njerëz.
Për shkak se UÇK mungoi në Luftën e Prekazit qëndrimi zyrtar për të në Perëndim si një organizatë terroriste, nuk ndryshoi edhe për disa muaj, madje i tillë ishte edhe qëndrimi zyrtar amerikan dhe britanik. Për shkak se UÇK mungoi në Luftën e Prekazit dhe fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë nuk nisi që në verën e vitit 1998, por nisi në pranverën e vitit pasardhës. Në të vërtetë vetësakrifikimi i Familjes së gjerë Jashari nuk shërbeu për ndryshimin e këtij perceptimi, por vetëm për sensibilizimin ndërkombëtar mbi atë që ishte duke ndodhur në Kosovë. UÇK vazhdoi të quhej organizatë terroriste edhe në muajt në vazhdim. Dhe kjo jo për faj të Jasharajve, por për faj të atyre që e drejtonin politikisht UÇK dhe të cilët nguruan që të bënin pjesën e tyre të sakrificës, për të marrë plotësisht atë që mund të quhet Dividendi i Flijimit të Madh të Jasharajve të Prekazit. Ademi dhe Hamza u prenë në besë nga ata njerëz të cilët e shikonin Luftën për çlirimin e Kosovës si një veprimtari propagandistike për të krijuar profilin e tyre si çlirimtarë, ashtu që nesër të merrnin pushtetin në Kosovën e pasluftës.
Mungesa e UÇK-së në Luftën e Prekazit është në origjinë të gjithë ndërlikimeve dhe problematikës që ka pasur Kosova që prej asaj kohe dhe deri më sot. Dhe përgjegjësia për këtë duhet kërkuar te Drejtoria Politike e UÇK.
Një nga produktet më të këqija të Drejtorisë Politike të UÇK ishte SHIK (Shërbimi Informativ Kombëtar) i krijuar sipas modelit kominternian të shërbimit të fshehtë politik të partive komuniste që kishin nën kontroll ushtritë partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, por me emërtim si shërbimit të fshehtë shtetëror të Shqipërisë, çka është një papërgjegjshëmri në llojin e vet. Në të vërtetë, çdo ushtri, madje edhe ato guerrilje e kanë një shërbim të fshehtë. Por këto janë shërbime të fshehta të llojit të zbulimit dhe kundërzbulimit ushtarak. Shërbimet e fshehta civile të llojit të SHIK krijohen për të mbrojtur shtetin, rendin kushtetues. UÇK nuk posedonte kurrgjë të tillë që ta mbronte me anë të SHIK. Drejtoria Politike e krijoi SHIK në funksion të agjendës së saj për marrjen e pushtetit pas luftës. SHIK ishte një instrument që do të përdorej për të terrorizuar kundërshtarët politikë shqiptarë në Kosovë. E gjithë kjo u krye në dy faza, sipas manualit kominternian të zbatuar nga Enver Hoxha, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para pas përfundimit të saj. Që gjatë Luftës së Kosovës duheshin eliminuar ata njerëz brenda dhe jashtë UÇK, të cilët do të përbënin problem për agjendën politike të grupit të bashkuar rreth Drejtorisë Politike. Sipas agjendës së terrorit të Drejtorisë Politike, komandantët e UÇK-së çoheshin në pritat ku i prisnin serbët, në kufirin shqiptaro-jugosllav, dhe prej vrasjes së tyre qitej një përfitim i dyfishtë. Nga njëra anë pushonin së qenin problem, dhe në anën tjetër gjaku i tyre iu shërbente njerëzve të Drejtorisë Politike për të kërkuar pushtet pas lufte nën emblemën e UÇK.
Të gjitha gjërat e këqija për të cilat akuzohet UÇK gjatë luftës së Kosovës, që nga burgjet sekrete në Shqipëri për kundërshtarët e saj (këto burgje kanë ekzistuar, por jo për marrje organesh njerëzore), trafiku i narkotikëve etj., në fakt janë bëma të Drejtorisë Politike të UÇK. Madje nuk janë thënë të gjitha bëmat e Drejtorisë Politike, se ajo në bashkëpunim me grupe kriminale të Shqipërisë ka trafikuar vajza shqiptare të Kosovës, të ardhura në Shqipëri në kohën e spastrimit etnik, si prostituta në Perëndim. Dëmi më i madh dhe tradhtia më e madhe që i ka bërë Drejtoria Politike UÇK-së ka qenë njollosja e reputacionit të kësaj ushtrie si organizatë mafioze.
Në fillim të vitit 1999, kur do të mbahej Konferenca e Rambouillet, ku UÇK do të ishte pjesë e delegacionit kosovar, shqiptarëve dhe botës iu bë me dije se UÇK kishte një Drejtori Politike, drejtor i së cilës ishte 30 vjeçari Hashim Thaçi. Shkurt, ky ishte lideri politik i UÇK-së, pra ishte alternative politike që ofronte UÇK ndaj liderit pacifist Ibrahim Rugova. Rugova tashmë ishte quajtur edhe tradhtar nga UÇK për shkak të takimeve që kishte kryer me Millosheviqin vitin e kaluar, ndonëse këto takime qenë miratuar publikisht, madje kërkuar paraprakisht nga SHBA, dhe për to kishte folur Presidenti Clinton dhe Departamenti i Shtetit.
Ironikisht, në 18 mars 1999, Hashim Thaçi firmoi, bashkë me Rugovën Marrëveshjen e Rambouillet, ku angazhohej për njohjen dhe respektimin e sovranitetit të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) mbi Kosovën, si dhe për respektimin e integritetit territorial të Jugosllavisë, do të thotë mbetjen e Kosovës nën Serbi. Është e vërtetë ajo që ka thënë Thaçi më pas, se ai e bëri këtë pasiqë u këshillua dhe u sigurua nga SHBA se pas kësaj do të mundësohej aksioni ushtarak i NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Por njëjtë edhe Rugova, kur vendosi të ndjekë një politikë pacifiste që me krijimin e LDK në 1989, u këshillua nga SHBA se në Kosovë duhet të ndiqej kursi i politikës pacifiste deri kur të vinte koha që SHBA të mund të merreshin me Kosovën. Fakti që Rugova çdo vit, që prej vitit 1990 e deri në 1998 udhëtonte në Washington ku pritej në nivelin më të lartë shtetëror, ishte provë për këtë.
Hashim Thaçi dhe drejtuesit e UÇK pranuan që të firmojnë Marrëveshjen e Rambouillet, me vetëm një kusht, që fill pas nënshkrimit të Marrëveshjes të krijohej një Qeveri e Përkohshme Kosovës, e kryesuar nga Hashim Thaçi. Edhe kjo gjë ishte në pajtim me manualin kominternian të zbatuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët jugosllavë dhe shqiptarë, të Titos dhe të Enver Hoxhës, për të krijuar instrumentet e pushtet, që gjatë luftës. SHBA, nga ana e tyre e pranuan këtë gjë, se nuk iu prishte asnjë punë, pasiqë nuk kishin ndërmend që ta njihnin këtë qeveri. Kështu, në 4 prill 1999, në kulmin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, në kulmin e luftës së Kosovës, dhe në kulmin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, shqiptarët dhe bota mësuan se Drejtori Politik i UÇK-së, Hashim Thaçi ishte bërë… Kryeministër i Kosovës! Përse duhej kjo qeveri kur Thaçin nuk e priste askush në cilësinë e Kryeministrit? Asnjë qeveri e huaj nuk e njohu Qeverinë e Thaçit. Nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se Thaçi është pritur në cilësinë e Kryeministrit nga ndonjë homolog perëndimor, në periudhën nga 2 prilli 1999 deri në shkurt 2000 kur ai e mbajti këtë detyrë të cilën ia kishte atribuar vetvetes. Ky veprim i Thaçit nuk kishte kuptim tjetër veç atij se Thaçi vazhdonte të përmbushte agjendën e vet surrogat-kominternian të pushtet, pa pyetur se populli të cilin supozohej të përfaqësonte “Qeveria e Përkohshme” gjendej nën gjenocid.
“Qeveria e Përkohshme” e Kosovës në periudhën që ekzistoi ilegalisht në Kosovë pas luftës, ishte një lloj organizate kriminale e cila iu impononte pagimin e taksave ilegale qytetarëve të Kosovës të cilët kishin një lloj biznisi. Edhe këtu ka një analogji ironike me tatimet e jashtëzakonshme që imponoi Qeveria e Enver Hoxhës në Shqipëri fill pas përfundimit të luftës. Pas çlirimit të Kosovës u shkri UÇK, u shkri Shtabi i Përgjithshëm i saj, por nuk u shkri në realitet Drejtoria Politike dhe as SHIK i krijuar dhe i kontrolluar prej saj. Ironia është se për një periudhë tre mujore, që prej dhjetorit 1999 deri në shkurt 2000, Hashim Thaçi veç detyrës së “Kryeministrit” mbante edhe detyrën e anëtarit të Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës, i krijuar nga UNMIK, si një lloj qeverie e emëruar e Kosovës! Këtë detyrën tjetër Thaçi e mbajti deri në mars të vitit 2002, kur pas zgjedhjeve të para parlamentare të mbajtura në Kosovë, u krijua qeveria e parë në Kosovën e pasluftës. Kjo vlen edhe për kronologjinë e karrierës së Hashës, për të treguar se sa shumë poste ka mbajtur ai, dhe për sa shumë kohë.
Pas çlirimit të Kosovës nisi të zbatohej faza e dytë e agjendës kominterniane të terrorit politik nga Drejtoria Politike, eliminimi fizik i kundërshtarëve politikë jashtë UÇK, kryesisht në LDK. Pas luftës, Drejtoria Politike e konstatoi që herët, atë fakt që u duk në zgjedhjet e para të mbajtura në Kosovë në 2000 dhe 2001, se LDK, megjithë propagandën e egër në stil kominternian kundër saj dhe Rugovës, kishte mbështetjen më të madhe elektorale nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Prandaj nisi një fushatë terrori e egër ndaj LDK, me vrasje politike për ta shpërbërë këtë parti.
Pas çlirimit të Kosovës pritej që prej ish-UÇK-së të dilte një parti politike. Ata që luftuan kishin të drejtë që të paraqesnin alternativën e tyre politike për Kosovën e pasluftës dhe të kërkonin votat e shqiptarëve të Kosovës për të. Në Kosovë pas hyrjes së KFOR-it në qershor nisën që të veprojnë lirisht partitë politike shqiptare, të krijuara që para luftës. Tash pritej pa vonesë krijimi i një partie politike të dalë nga UÇK. Por Drejtoria Politike nguronte që ta bënte këtë gjë, pasiqë donte që në krye të partisë të dilte Hashim Thaçi. Brenda grupimit të ish-UÇK kishte kundërshtime të mëdha ndaj Thaçit. Prej këtej krijimi në 4 korrik 1999 i Partisë Bashkimi Demokratik, të kryesuar nga Bardhyl Mahmuti, ku merrnin pjesë edhe persona të popullarizuar të UÇK, si Jakup Krasniqi, Azem, Syla etj. Drejtoria Politike dhe SHIK nën urdhrat e saj punuan më tepër se tre muaj dhe bënë të mundur që në 13 tetor të atij viti të krijohej një parti e re, e dalë nga ish-UÇK, Partia e Progresit Demokratik, me të cilën do të shkrihej PBD. Kryetar i përkohshëm i kësaj partie do të emërohej Hashim Thaçi, por kryetari do të zgjidhej në kongresin e ardhshëm të partisë, që do të mbahej sa më shpejt. Kongresi në fund u mbajt pas shtatë muajve, kur tashmë Drejtoria Politike dhe SHIK kishin bërë gjithçka duhej për konsolidimin e pozitave të Thaçit si drejtues i partisë. Në kongresin e mbajtur në 21-22 maj 2000 Hashim Thaçi mori 309 vota si kandidat për kryetar, ndaj 41 votave që mori Bardhyl Mahmuti dhe 26 që i mori Pleurat Sejdiu. Ky ishte një sukses i SHIK-ut të Kadri Veselit.
Kongresi I i PPD ishte për Thaçin ai që kishte qenë Kongresi I i PKSH për Enver Hoxhën. Ashtu si Enver Hoxha, edhe Thaçi në këtë kongres i konsolidoi pozitat e tij në krye të partisë. Ashtu si Enver Hoxha, edhe Thaçi në Kongresin I e ndryshoi emrin e partisë. Me 218 vota pro dhe 127 kundër emri i partisë u ndryshua në Partia Demokratike e Kosovës. Si nën zë u tha se arsyeja kryesore ishte se akronimi i partisë (PPD) ishte i njëjtë me atë të Partisë për Prosperitet Demokratik e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila ishte duke shkuar kah zhdukja si parti, pra akronimi ndillte fatkeqësi. Të drejtën e UÇK-së për të krijuar një parti politike e uzurpoi Drejtoria Politike. Dhe kryetar i kësaj partie, që prej themelimit të saj në tetor 1999, u zgjodh pikërisht Drejtori i Drejtorisë Politike Hashim Thaçi. I njëjti vazhdon të jetë kryetar i kësaj partie edhe sot pas 15 viteve!
Kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para pas luftës, ato vendore të tetorit 2000, Hashim Thaçi ishte tashmë prej një viti kryetar i partisë të dalë nga UÇK. Kjo parti pretendonte se kishte 230 mijë anëtarë të regjistruar në atë kohë. Kjo parti kishte shumë para, kishte logjistikë, kishte aktivistë të shumtë, kishte edhe SHIK, një organizatë sekrete që kryente vrasje dhe frikësim të kundërshtarëve politikë. E megjithatë, në zgjedhjet vendore të 27 tetorit 2000, PDK nuk mori dot më shumë se 27.3% të votave! LDK, partia e kryesuar nga Rugova, lideri i mallkuar si tradhtar nga propaganda kominterniane e Drejtorisë Politike, mori 58% të votave! Thaçi dhe njerëzit e Drejtorisë Politike shpejtuan që të fajësojnë popullin shqiptar të Kosovës për disfatën e partisë së tyre në zgjedhje. Ata gati sa nuk e shpallën tradhtare shumësinë e popullsisë shqiptare të Kosovës, që refuzoi “partinë e luftës”, PDK dhe votoi për partinë e tradhtarë, LDK. Në fakt, zgjedhjet e tetorit 2000 qenë një plebishit ku shqiptarët e Kosovës votuan instinktivisht (me instinct politik), në shumësinë e tyre, jo kundër UÇK, por kundër Drejtorisë Politike që kishte uzurpuar UÇK-në. E njëjta gjë u përsërit edhe në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën një vit më pas, në nëntor 2001. Madje këtë herë PDK arriti një rezultat edhe më të keq, duke rënë votat e saj në 25.5%. Në çdo vend demokratik të botës, kryetari i partisë do të jepte dorëheqjen pas një katastrofe të tillë të dyfishtë. Por ish-Drejtorit i Drejtorisë Politike as që kishte ndërmend që ta bënte këtë gjë. Me anë të SHIK-ut ai i shtypi me gjak dhe me frikësim kundërshtimet ndaj tij brenda partisë dhe vazhdoi të qëndrojë kryetar i saj.
Ndonëse LDK kishte fituar 46.3% të votave në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2001, duke marrë 47 ulëse në Kuvendin me 120 ulëse, kësaj partie as që i shkoi ndërmend që të bënte lojën politike që bëri Thaçi në 2010, duke ftuar në koalicion partitë e vogla për të siguruar edhe 14 ulëset në Kuvend që i duheshin për të qeverisur. Mund të imagjinohet lehtë se çfarë zhurme do të kishte bërë PDK nëse LDK do të ftonte partitë serbe për të bashkëqeverisur, ashtu siç bënë PDK dhe Thaçi pas zgjedhjeve të vitit 2010. Partia që del e para në zgjedhje është ajo që ka të drejtën e zgjedhjes së mënyrës së qeverisjes. Në 2001 LDK ftoi PDK-në për të bashkëqeverisur dhe i ofroi asaj postin e Kryeministrit. Çuditërisht këtë post nuk e mori kryetari i PDK, ashtu siç ndodh në çdo vend të botës në raste të tilla, por postin e mori një person jo i njohur në parti, mjeku Bajram Rexhepi. Hashim Thaçi sigurisht që do të donte të bëhej vetë Kryeministër, por ai nuk kishte miratimin e ndërkombëtarëve për këtë gjë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 Partia e Thaçit, siç njihej tashmë PDK, përsëri mbeti shumë pas LDK, duke marrë vetëm 28.9% të votave dhe vetëm 30 ulëse në Kuvend. LDK mori 45.4% të votave dhe ruajti numrin e ulëseve që kishte pasur, 47. Thaçit dhe grupit të tij të Drejtorisë Politike i ishte krijuar iluzioni se Rugova dhe LDK kishin një varësi psikologjike ndaj PDK kur ishte fjala për qeverisjen, ata nuk mund të qeverisnin veçse në aleancë me PDK. Në fakt ishte dhe një kërkesë e ndërkombëtarëve për Rugovën, ajo që LDK të bënte koalicion qeverisës me një parti të quajtur të luftës. Pas zgjedhjeve të vitit 2004 PDK u bë arrogante dhe i rriti shumë kërkesat ndaj LDK, duke kërkuar praktikisht që të qeveriste e vetme, me Rugovën si një figurë dekorative në postin e Presidentit të Kosovës.
Thaçi dhe grupi i tij i Drejtorisë Politike u befasuan shumë kur Rugova bëri aleancë me Haradinajn, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me ç’ rast Haradinaj u bë Kryeministër dhe Rugova u rizgjodh President me votat e koalicionit. Kundërshtimi i PDK ndaj këtij koalicioni ishte i ashpër dhe i papërmbajtur. Vetëm 100 ditë pasi Haradinaj nisi detyrën si Kryeministër, ndaj tij u ngrit një padi nga Gjykata e Hagës për Krime të Luftës, me ç’ rast Haradinaj dha dorëheqjen dhe u paraqit vullnetarisht në Hagë. Sot vetëm mund të spekulohet mbi atë nëse padia e Gjykatës së Hagës për Haradinajn u ngrit për të prishur koalicionin LDK-AAA, që në thelb ishte një bashkëpunim me Rugovës dhe Haradinajt. Fakti është se që prej ngritjes së padisë nga Gjykata e Hagës për Haradinajn në fillim të vitit 2005, ka ndodhur një seri ngjarjesh të cilat të marra në tërësi të çojnë në përfundimin se është synuar që të dobësohet LDK, duke u reduktuar ajo në një parti të vogël, çka nuk mund të ishte veçse në dobi të PDK. Duke nisur që nga vdekja e papritur e Rugovës e cila ndodhi fill pas ngritjes së padisë ndaj Haradinajt.
Vdekja e Rugovës krijoi një vacuum lidershipi në LDK, që qartësisht nuk u arrit të mbushet nga pasardhësit e tij në krye të partisë. Prej këtej arsyeja e rënies elektorale të LDK, nga ku përfitoi PDK. Vetëm pas vdekjes së Rugovës mundi PDK që të dalë partia e parë në zgjedhje, në ato parlamentare të vitit 2007, ku mori 34.3% të votave, dhe 37 ulëse në Kuvend. Nuk mund të mos konstatohet fakti se Rugova vdiq pikërisht në kohën kur në agjendën amerikane ishte parashikuar dalja e Thaçit si politikani dhe shtetari nr.1 në Kosovë. Thaçi u duhej amerikanëve për të zbatuar agjendën amerikane të exit strategy, pra të strategjisë së daljes së tyre nga angazhimi që kishin marrë përsipër në Kosovë që në 1999. Exit strategy amerikane në Kosovë duhet të ishte i tillë që të justifikonte përmasat dhe natyrën e angazhimit amerikan të vitit 1999 në Kosovë, pra të justifikonte aksionin ushtarak të NATO-s kundër Serbisë, për shkak të Kosovës. Prandaj exit strategy amerikane nga Kosova duhet të përmbante medoemos shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ashtu që të justifikohej angazhimi ushtarak amerikan. Por në vazhdim do të zbatohej një agjendë e rikthimit të Serbisë në Kosovë, ashtu që të kënaqej Serbia maksimalisht dhe SHBA të mos kishin probleme me të, për çka do t’ u duhej që të mbeteshin të angazhuar përjetësisht në këtë pjesë të Ballkanit.
Njeriu më i përshtatshëm për të zbatuar këtë agjendë të dyfishtë të pavarësismit dhe të rikthimit të Serbisë në Kosovë ishte natyrisht ish-Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK. Prandaj amerikanët bënë një manovër politike, me anë të së cilës Hashim Thaçi u bë Kryeministër, në janar 2008, pak kohë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shpallja e Pavarësisë së një republike është një akt solemn prandaj deklaratën e shpalljes e lexon kryetari i shtetit. Në rastin e Kosovës deklaratën e shpalljes së pavarësisë duhet ta lexonte Presidenti Sejdiu. Por Hashim Thaçi, midis dinjitetit të shtetit të ri të Kosovës dhe interesit të vet si politikan, zgjodhi këtë të dytin. Shkurt Thaçi u soll ndaj shtetit të Kosovës si Drejtori i Drejtorisë Politike ndaj UÇK-së. Derisa Thaçi si luftëtar, politikan dhe shtetar deri në 17 shkurt 2008 kishte qenë Enver Hoxha në trajtë karikaturiale, në 17 shkurt 2008 ai ishte Ismail Qemal Vlora në trajtë karikaturiale, pra “Kryeati” i Pavarësisë së Kosovës. Të nesërmen Thaçi u rikthye të ishte Enver Hoxha në trajtë karikaturiale.
Periudha e Thaçit në pushtet pas 17 shkurtit 2008, është e ngjashme me periudhën e Enver Hoxhës në vitet 1944-1948, kur Enver Hoxha zbatoi agjendën e përpunuar në Beograd të integrimit të Shqipërisë në Jugosllavi. Thaçi pas zgjedhjeve premtoi integrimin europian të Kosovës, por deri më sot ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka integruar Kosovën në Serbi dhe Serbinë në Kosovë. Në fund të vitit 2009, më pak se dy vite pasi Thaçi ishte bërë Kryeministër, u bënë publike rrëfimin e Nazim Bllacës, ish-anëtarit të SHIK ilegal të ish-Drejtorisë Politike të UÇK. Rrëfimi i Nazim Bllacës konfirmoi atë që në Kosovë e dinin të gjithë pak a shumë, se në Kosovë ekzistonte një organizatë ilegale që bënte vrasje politike për llogari të grupit që krijoi PDK-në. Të gjitha faktet që jepte Bllaca të çonin drejtpërdrejt te Drejtoria Politike e UÇK, që e krijoi dhe e komandonte SHIK-un. Akuzat e Bllacës duhet të kishin shërbyer si premisë për hetime të mëtejshme, me ç’ rast Drejtoria Politike e UÇK duhet të shpallej organizatë terroriste dhe bashkë me të edhe SHIK, si krijesë e saj. Por ndërkombëtarët nuk donin që ta bënin këtë gjë, se nëse ndodhte kështu do të duhej që të arrestohej Hashim Thaçi, për të cilin ishte paraparë një rol i madh në agjendën për integrimin e Kosovës në Serbi dhe të Serbisë në Kosovë. Kështu që Nazim Bllaca dhe disa prej atyre që denoncoi ai u arrestuan dhe u dënuan me burg, si të mos ishin pjesë e një organizate që vepronte nën urdhrat e Drejtorisë Politike, por si të ishin një shoqatë e pavarur vrasësish.
Si pjesë e agjendës për integrimin e Serbisë në Kosovë dhe të Kosovës në Serbi, në vjeshtën e vitit 2010 u prish koalicioni PDK-LDK, me rastin e shkarkimit të Presidentit Sejdiu falë një vendimi absurd të Gjykatës së Kushtetuese të Kosovës, të imponuar gjyqtari amerikan i kësaj Gjykate. Pas kësaj u mbajtën zgjedhjet e reja në të cilat PDK pati lejen e SHBA për të bërë vjedhje masive dhe flagrante të votave. Megjithë këto manipulime zgjedhore, PDK nuk arriti që të merrte më shumë se 32.1% të votave, çka i mundësuan që të kishte 37 ulëse në Kuvend. Nëse nuk do të kishte pasur vjedhje të votave, PDK do të kishte dalë partia e tretë në vend pas Vetëvendosjes, e cila së bashku me LDK humbi më së shumti nga vjedhja e votave prej PDK. Pas zgjedhjeve u krijua Qeveria “Thaçi 2” (apo ndoshta “Thaçi 3” nëse llogaritet dhe qeveria e vitit 1999), e cila ishte një qeveri e Kosovës e dalë nga votat e një minorance shqiptare prej 42 deptetësh në Kuvendin me 120 deputetë. Pjesa tjetër e votave për të krijuar shumësinë qeverisëse erdhi nga minoritetet etnike, më së shumti nga serbët. Imagjinoni se çka do të kishte thënë PDK nëse një qeveri të tillë do ta kishte krijuar LDK! Qeveria “Thaçi” e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 2010 ishte një qeveri e denjë për Drejtorinë Politike. Ashtu si dikur LPK futi në Drejtorinë Politike të UÇK Thaçin, për arsye imazhi, edhe Thaçi futi në qeverinë e tij ish-frajericën kolektive të Fondacionit “Soros” në Prishtinë për të paraqitur imazhin integrues të qeverisë!
Qeveria e re ishte rezultat i marrëveshjes së Thaçit me Behgjet Pacollin, i cili vuri si kusht për aleancën që të zgjidhej President i Kosovës. Thaçi e pranoi kërkesën e Pacollit dhe ky u zgjodh President i Kosovës me votat e bashkuara të “çlirimtarëve” (PDK) dhe të serbëve. Në fillim u duk se zgjedhja e Pacollit ishte një skemë amerikane, se ai pati mbështetjen e Ambasadorit amerikan Dell. Por pastaj dikush në Washington reflektoi mbi atë se a mos i ishte lëshuar shumë hapësirë Rusisë në Kosovë me zgjedhjen e Pacollit, duke njohur lidhjet ruse të tij. Kështu që amerikanët e shkarkuan Pacollin duke përdorur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Pas kësaj Pacolli, i cili e kuptoi se ku ishte “vija e kuqe” amerikane hyri në Qeverinë e Thaçit si zëvendëskryeministër.
Duke vepruar në pajtim me agjendën e integrimit të Serbisë në Kosovë dhe të Kosovës në Serbi u arrit marrëveshja famëkeqeme mes Serbisë e Kosovës, e prillit 2013, ndryshe marrëveshja Thaçi-Daçiç, e cila kishte vetëm një funksion, t’ i mundësonte Serbisë që të merrte statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, në samitin e Këshillit Europian të qershorit të atij viti. Me këtë marrëveshje, Kosova i njihte Serbisë juridiksion federal mbi komunat serbe të Kosovës, e serbëve të Kosovës iu njiheshin marrëdhënie federale në raport me Serbinë. Serbia, nga ana e saj, nuk i njihte asgjë si shkëmbim Kosovës. Njëjtë edhe serbët e Kosovës nuk qenë të detyruar që ta njihnin shtetin e Kosovës dhe simbolet e tij, si këmbim të atyre gjërave që kishin fituar me këtë marrëveshje dhe të tjerat para saj.
Në këmbim të zbatimit të agjendës së integrimit të Serbisë në Kosovë dhe të Kosovës në Serbi, Thaçi ka marrë mandatin nga ndërkombëtarët që ta sundojë Kosovën në stilin e diktatorëve latinoamerikanë të shekullit XX. Ky mandate përmban të drejtën e Thaçit dhe të grupit të tij të vjetër të Drejtorisë Politike, e të familjarëve të tyre, që të përfitojnë nga pushteti për të kanalizuar paratë e taksapaguesve dhe të ndihmave të huaja financiare në bizniset dhe xhepat e tyre me anë të tenderëve të manipuluar dhe të korrupsionit të drejtpërdrejtë, me marrje mite nga privatizimet, emërimet në administratën publike, kontrabandën, trafiqet e kundërligjshme të drogës, qenieve njerëzore etj. Për të ruajtur këtë të drejtë, Thaçi dhe grupi i tij i ish-Drejtorisë Politike nuk ndalen para asgjëje. Në prill Thaçi personalisht doli në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe mbrojti projekt-ligjin për krijimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Prishtinë, e cila qartësisht është një Gjykatë për kriminalizimin e UÇK. Komandantët e UÇK kriminalizohen dhe dënohen njëri pas tjetrit në kohën që Thaçi është Kryeministër, ndërsa vetëm Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK, ai që supozohet të kishte marrë vendimet politike për të gjitha gjërat për të cilat akuzohen ata, nuk preket nga gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë.
Thaçi vetë, para pak kohësh pohoi në një intervistë për Euronews se ai nuk ka qenë pjesëmarrës në luftë, pasi ka mbajtur vetëm detyra politike. Ky është një pohim shumë domethënës për atë që deri më sot na është paraqitur si hero i luftës për çlirimin e Kosovës. Por e vërteta e trishtuar është se Thaçi në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Politike ka përgjegjësinë për vendim-marrjet për shumë nga veprimet për të cilat akuzohen komandantët e UÇK sot. Se ata në shumë raste kanë zbatuar në mirëbesim urdhrat që e kishin origjinën te Drejtoria Politike.
Sot ish-luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve të tyre, kanë një detyrim që për të vënë në vend nderin e UÇK, për të hequr njollën e turpit nga gjaku i pastër i dëshmorëve të denoncojnë publikisht Drejtorinë Politike të UÇK si përgjegjëse për të gjithë të këqijat dhe krimet me të cilat është ngarkuar UÇK. Nëse ka ndonjë gjë me të cilën duhet të merret Gjykata Speciale për Krime të Luftës, që do të krijohet në Prishtinë, kjo është Drejtoria Politike e UÇK e cila duhet të shpallet organizatë kriminale dhe njerëzit e saj të dënohen si kriminelë, i pari ndër ta Drejtori “legjendar”, Hashim Thaçi. Në SHBA ka pasur gjithmonë dy linja, një pro shqiptarëve të Kosovës, një kundër. Në mënyrën më të qartë për atë që dëshiron të kuptojë këtë e tregon në kujtimet e tij, të keqpërkthyera në shqip, Komandanti i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë, në 1999, Gjenerali Wesley Clark. Sot është koha që të bëhet beteja përfundimtare për Kosovën që të mos lejohet të prevalojë linja amerikane kundër Kosovës, ajo që e ka parë gjithmonë Drejtorinë Politike si një asset të saj shumë të vlefshëm. Ata luftëtarë dhe komandantë të UÇK, të cilët luftuan për ta çliruar Kosovën nga Serbia, tash, së bashku me familjarët e dëshmorëve, kanë detyrim që të bëjnë betejën e fundit për ta çliruar reputacionin UÇK-së dhe Kosovën nga Drejtoria Politike.
Në zgjedhjet parlamentare të qershorit Hasha kërkon që ta nxjerrë PDK-në parti të parë, që të mund të sigurojë katër vite të tjera si Kryeministër. Tashmë PDK është kthyer në partinë private të Thaçit, i cili me sa duket kërkon që të rrijë në krye të saj deri kur Endriti, djali i tij të bëhet në moshë për të zëvendësuar prindin e tij, ashtu si Uka tentoi të zerë vendin e prindit në krye të LDK.
Karriera politike e Hashim Thaçit, në një pikëpamje është shumë e ngjashme me atë të Rugovës. Të dy kanë nga një periudhë ilegale të karrierës së tyre politike. Për Rugovën kjo periudhë nis që nga 24 maji i vitit 1992 kur ai u zgjodh President i Kosovës në zgjedhje klandestine, dhe përfundon në 18 mars 1999 kur Rugova firmoi Marrëveshjen e Rambouillet, me ç’ rast u angazhua për njohjen dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit tokësor të Jugosllavisë. Ky ishte mohim i drejtpërdrejtë i referendumit të vitit 1991 me të cilin qytetarët e Kosovës u shprehën për shpalljen e Kosovës shtet (republikë) të pavarur, prej ku u arrit deri te zgjedhjet e majit 1992 nga të cilat Rugova doli si President i Republikës së pavarur të Kosovës. Për saktësi, megjithatë Marrëveshja e Rambouillet nuk hyri në fuqi se nuk u firmua nga serbët, mund të thuhet se mandati i Rugovës mori fund me njohjen prej tij dhe angazhimin për respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të 10 qershorit 1999, e cila e njihte Kosovën si pjesë të Jugosllavisë. Periudha e dytë e karrierës politike të Rugovës nis në qershor 1999 dhe përfundon në janar 2006 me vdekjen e tij.
Për Hashim Thaçin, periudha e parë e karrierës së tij politike nis në 5 prill 1993, kur supozohet të jetë emëruar Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK, në shtëpinë e Adem Jasharit në Drenicë, dhe sipas atyre që ka thënë ai ka përfunduar në shkurt 2000, ku u shkri Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kryesuar prej tij. Në ndërkohë, Thaçi kishte nisur fazën e dytë të karrierës në Kosovën e pasluftës si kryetar i PDK dhe si anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës. Kjo periudhë e dytë e karrierës së Thaçit nisi në tetor 1999 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, pra është shumë më e gjatë se ajo e Rugovës.
Liderët e qeverive të përkohshme të krijuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas manualeve kominterniane, qëndruan në pushtet deri kur i largoi prej tij vdekja. Nuk është çudi pra që sot, 15 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, Kryeministër është prej gjashtë viteve ish-Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të kohës së luftës! Por është një ligj i pashkruar që vlen për ata politikanë të cilët e nisin karrierën si radikalë, dhe të cilët qëndrojnë gjatë në politikë, që të shndërrohen në versione karikaturore të politikanëve të moderuar, si alternativë e të cilëve kanë dalë të parët. Thaçi sot është shndërruar në version karikaturial të Rugovës, të cilin e akuzonte për marrëveshje me Millosheviqin. Sot është Thaçi që bën marrëveshje me Serbinë dhe mërzitet vetëm se nuk e pranojnë ende në Beograd. Se e di që pas kësaj bëhet i paprekshëm, ose e thënë ndryshe nuk ka rrezik që ndërkombëtarët ta dërgojnë në burg, kur të mendojnë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme./Kastriot Myftaraj