Tahiraj: Në PDK ka kriminelë, puçist, intrigant, që likuiduan atdhetarë shqiptarë

saimtahiraj

Saim Tahiraj veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëluftëtarë dhe bashkorganizator i luftës në Kosovë me Sali Çekajn beson se shteti i Kosovës po vritet nga kjo qeveri në ikje. “Po, është kapur dhe uzurpuar në formën më klasike, kriminale e politike. Janë një grup kriminelësh që bënë puç, pa vota dhe përdoren tërë intrigat, deri në likuidimet e atdhetarëve shqiptarë. Forca e tyre s’do të ishte kaq e madhe nëse s’do ta shfrytëzonin shërbimet e serbëve për 30 vjet me radhë në perëndim dhe brenda. Kjo klasë kriminale, me pushtetin kaq gjatë me gjemba të helmuar, vuri në pyetje jo vetëm demokracinë në rrezik, por edhe gati humbjen e substancës që pat kjo pjesë e popullit, këtej kufirit artificial me Shqipërinë dhe u bënë gara më të tmerrshme shkatërruese në disa drejtime, më zi se në kohen e Rankoviqit e Millosheviqit”, thotë Tahiraj, i dëshpëruar me gjendjen e rëndë në të cilën është mbërthyer vendi.

Ai thotë se liritë e qytetarëve ishin në rrezik sepse jo vetëm se u ndjen të pasigurtë veprimtarët atdhetar të shumë viteve, por edhe çdo qytetar që e ndjen veten me bazë të shkatërruar ekonomike etj. “Ne gjithmonë i kemi dëgjuar që nga largësia topat e armikut, por tradhtinë dhe shkatërrimin e këtyre shqipfolësve i përjetuam në sofrën tonë me qindra inskenime, vrasje e dosje kompromentuese gjithfarëshe, duke i shfrytëzuar metodat dhe kuzhinat e armikut, në disa raste më e keqja që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, thotë ai. Ndërsa, sa i përket lirive fetare, thotë se ato duhet të respektohen dhe përkujton se toleranca jonë tradicionale ka qenë shembull në botë, dhe ashtu duhet të kemi forcë morale të vazhdoj, natyrisht në rrethana të reja, të vet pavarësisë së vendit. “Por, shfaqjet e tërbuara kriminale politike, kanë ndikim edhe në tërbimin e disa segmenteve fetare që dalin nga programi fetar origjinal e tradicional. Gabimi më i rëndë në këtë drejtim që mund të ndodhë e po ndodhë është shfrytëzimi i situatës së dobët ekonomike e politike në Kosovë. Disa grupe fetare, njëlloj kriminale, po i sjellin fatalitet politik e edhe fizik shtetit të brishtë të Kosovës me qëndrime radikale ku po mundësojnë propagandat e armiqve tanë, sidomos ruso-serbe dhe disa segmenteve në Evropë”, thotë Tahiraj, i cili kërkon që të ndërmerren masa për përmirësimin e imazhit tonë në botë, se duhet të merren sa më shpejt në këtë legjislaturën e ardhshme dhe që me të vërtetë njerëzit të jenë të lirë në besimet e tyre.