Don Jeton Thaqi: Ibrahim Rugova një humanist laik

phozo

Pavarësisht prej përcaktimit të tij si mysliman apo katolik, ishte një lider, humanist laik. Ekziston një tendencë e vazhdueshme e përvetësimit të njerëzve me renome rajonale, evropiane apo botërore.

Kjo tendencë është përdor e keqpërdor në të kaluarën nga qarqet e ndryshme dhe ka vazhduar në një farë mase të përdoret edhe sot e kësaj dite. Po kështu ka ngjarë edhe për figurën e Rugovës. Këtë përvetësim e kanë bërë madje edhe disa divizione e organizma partiakë e mos të flasim për individ të ndryshëm.

Por, ajo që ka mbet dhe vazhdon të mbetet mit në figurën e Rugovës dhe për të cilën është diskutuar shumë, ka qenë ‘konvertimi i tij në krishterim’ apo ‘pagëzimi i Rugovës’.

Ky mit është përdor si ‘shpatë me dy tehe’: – në njërën anë ka qenë synim i shumëkujt që në këtë mënyrë, kinse, të na paraqesin më të afërt me perëndimin, ndërsa nga shumë të tjerë ky mit është parë me skepticizëm.

Personalisht, shumë njerëz, besimtarë e jo besimtarë, shqiptarë, si dhe të huaj më kanë pyetur lidhur më këtë çështje. Asnjëherë s’kam qenë në gjendje të jap një përgjigje adekuate, sidomos për arsyen se s’kam pasur fakte e as indicie faktesh për të pohuar ose mohuar pagëzimin e Rugovës.

Personalisht gjithnjë kam menduar dhe vazhdoj të jem kureshtar lidhur me anën e mistershme, se Rugova është pagëzuar. Këtë kureshtje time e mbështes në bindjen, se në atë kohë nuk kishte arsye për ta mbajtur të fshehur pagëzimin, pasi që në kohën kur jetoi ai nuk kishte kërcënime terroriste, sikurse mund të këtë sot në ndonjë pjesë të botës.

Prandaj, pse ai do të duhej të pagëzohej dhe këtë akt-veprim individual e shpirtëror ta mbante të fshehur. Megjithëse individë të caktuar asnjëherë s’kanë qenë në gjendje që definitivisht ta zbardhin këtë çështje.

Shkrimi i fundit i ish-ministrit italian, themeluesit të “SHËN EGJIDIOS” dhe njërit prej figurave më të spikatura në Itali, si në fushën laike, ashtu edhe në atë religjioze, mbi figurën e Ibrahim Rugovës duket që i ka hedh dritë një çështjeje që për dekada mbeti tek ne enigmë. Përshkrimi që Andrea Riccardi i bëri Ibrahim Rugovës është një ndër përshkrimet më reale që kam lexuar dhe dëgjuar ndonjëherë: – “me origjinë myslimane, Rugova ishte gjithmonë një humanist laik (më shumë evropian se sa ballkanik), shumë i ndjeshëm ndaj krishterimit (mbante në shtëpi dy grafika gjigante të Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit II, i cili e kishte pranuar në Vatikan)”.

Pastaj në këtë drejtim vazhdon shkrimi Riccard-it: – “më ka lënë mbresa gjithmonë bindja e tij humaniste dhe paqësore, i gatshëm të përballojë nënçmime dhe kundërshtime, etj”. Rugova edhe pse ka studiuar gjuhën dhe kulturën shqiptare në Kosovë dhe në Francë për të ruajtur identitetin shqiptar, u shqua edhe për thellësinë e mendimit filozofik dhe politik.

Duke u mbështetur në thënien e tij; – “Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.” Rugova pra s’ishte as mysliman e as katolik, ai ishte humanist laik.

Pavarësisht origjinës së tij myslimane, nuk e pengoi të ishte i ndjeshëm ndaj krishterimit, sidomos çmonte aspektin human dhe social brenda historisë së krishterimit, por nuk dihet nëse praktikonte krishterimin. Në fakt, nuk dihet, ai i deshi posaçërisht Nënë Terezën dhe Papa Gjon Palin II, si njerëz të lutjes apo për specifika krejt fetare, siç mund t’i dojë një katolik në këtë rast.

Ai mund t’i ketë dashur për humanizmin e madh që ata treguan pranë botës dhe për botën. Ndaj nuk gabon Riccardi dhe jam i bindur që nuk gaboj as unë, që ta quajmë Rugovën HUMANIST LAIK.

Si i tillë u formua në Francë, si i tillë u pranua nga të gjithë, si i tillë edhe pati mbështetjen e të gjithëve.