EKSPOZITA `RUGOVA` E FAHREDIN SPAHISË, MË 15 QERSHOR NË TIRANË

79791-Nu69in6Zay

Ekspozita e Fahredin Spahisë me 15 fotografi të ish presidentit Ibrahim Rugova, titulluar “Rugova”, që fillimisht u hap në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të vazhdojë rrugëtimin drejt Tiranës.

Ekspozita e Fahredin Spahisë “Rugova” që në Prishtinë u mbajt më 21 janar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me një pjesëmarrje masive të vizitorëve,  do të hapet më 15 qershor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë.

Ekspozita “Rugova” do të hapet si pjesë e Kalendarit të përbashkët kulturor të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë  ndërsa pjesë e aktivitetit do të jetë  edhe një konferencë shkencore për figurën njerëzore, politike dhe kulturore të Rugovës.

I tërë procesi  filloi kur nga Kabineti i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala në fillim të janarit të këtij viti Fahredin Spahisë iu kërkua që të realizojë një ekspozitë me fotografi të zgjedhura të Rugovës. Spahija tregon se tri javë  ishte tërësisht i preokupuar me imazhet që kishte ngrirë nga angazhimet politike të Rugovës në periudhën e pasluftës deri në momentin kur në janarin e acartë të vitit 2006, ish presidenti u varros në varrezat e Velanisë.

“Fotografitë shpërfaqin angazhimin politik të Rugovës, adhurimin që populli i Kosovës e kishte dhe e ka për të si në kohën sa ishte i gjallë po ashtu edhe kur ndërroi jetë si dhe portrete të realizuara në rezidencën e tij, në Velani”, thekson Spahija.