Naser Rugova: ”Kolacioni me PDK-në vazhdon të jetë i dëmshëm për LDK-në.”

foto

“LDK e humbi shansin të rikthehet fuqishëm, e patëm rastin, kur një ekip humb finalen dy herë radhazi, duhet të lëshojë rrugë. LDK ka nevojë për një reformë substanciale . Sondazhet dhe matjet e ndryshme të opinionit na tregojnë se nuk jemi mirë. Mund të jetë i kënaqur lidershipi i partisë dhe një grup afër tyre, elektorati jo. Kolacioni me PDK-në vazhdon të jetë i dëmshëm për LDK-në. Uroj të mos ndodhë ndonjë Zanzibar siç di t’i bëjë PDK-ja”. Kështu thotë në një intervistë dhënë për gazetën Infopress, një nga pasardhësit e familjes Rugova, ish deputeti i Kuvendit, Naser Rugova.

Intervistoi: Drilon GASHI

Gazeta Infopress: Asociacioni dhe Demarkacioni vazhdojnë të jenë dy tema të nxehta. Ratifikimi i kësaj të fundit në Kuvend mund ta rikthej krizën politike dhe të tensionoi situatën e sigurisë. Ju si ish deputet si i shihni këto zhvillime dhe cili është apeli juaj për ligjvënësit?
Rugova:
Si ish deputet i legjislaturës së pavarësisë mund të them me përgjegjësi të plotë se kjo klasë politike e ka dëmtuar shumë komunikimin mes forcave politike, koncenzusin nacional, unitetin dhe interesin nacional të vendit. Edhe pozita edhe opozita kanë rënë në provim. Ligjvënësve të kësaj legjislature ju bëj apel që ta kthejnë frymën e dialogut në Kuvend dhe të rivendosin urat e koncenzusit të plotë për cështje të tëndësisë vitale për shtetin.

Gazeta Infopress: Opozita po kërkon zgjedhje të reja, por pushteti po këmbëgul se ato do të mbahen më 2018-të. Duhet apo jo të ketë zgjedhje të parakohëshme?
Rugova:
Situata e përgjithshme në vend gjatë këtyre dy viteve ka qenë e rëndë, me tensione, me pamje që nuk i dëshiron askush dhe që na kanë dëmtuar shumë si shtet dhe si popull. I kemi vënë në sprova të rënda edhe miqët tanë që janë shumë meritor për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Koalicioni qeverisës e ka shumicën në kuvend, këto janë rregullat e demokracisë, edhe pse për çështje të rëndësisë strategjike dhe për interesa nacionale kërkohet unitet dhe koncenzus, dhe jo logjikë numrash, sepse logjika e numrave shpesh e shpie politikën në rrugë, e kjo më së paku na duhet tani. Kemi shumë sfida serioze para vetes si shtet. Për zgjedhje eventuale duhet dakordim i plotë mes forcave politike, zgjedhje nën presion dhe gjithëfare nuk na duhen. Por, nësë nuk ka koncenzus për këto çështjet, të cilat prodhuan krizë, dhunë dhe pamje që demtuan imazhin e vendit dhe frenuan shumë procese zhvillimore atëherë zgjedhjet janë zgjidhja e fundit.

Gazeta Infopress: Në rast se këtë mandate do të ishit deputet a do të votonit pro apo kundër Demarkacionit me Malin e Zi?
Rugova
: Në rrethanat e krijuara politike,konfuzionin, paqartësitë dhe mjegullën e krijuar në radhë të parë nga Komisioni qeveritar për demarkacion, jotransparenca, komunikim i zbehtë me komunitetin e trevave që prekë demarkacioni, mbyllja e plotë ndaj ekspertëve vendor dhe së fundi faktet nga ekspertë dhe autoritete relevante dhe me përvojë në këtë fushë, të cilët botuan edhe libra me argumente mjaft serioze, pa dyshim se nuk do ta votoja propozimin e komisionit qeveritar. Uroj që deputetët e në veçanti ata të Rrafshit të Dukagjinit ti thërrasin mendjes, t’ju jepet rasti dhe hapësira edhe njëherë të gjithë faktorëve relevant dhe fakteve konkrete, të krijohet një komision gjithëpërfshirës dhe profesional, me ekspertizë edhe ndërkombëtare dhe kjo çështje mjaft e ndieshme të përfundoj me koncenzus dhe frymë të fqinjësisë së mirë me Malin e Zi, në të kundërtën këta deputetë që vendosin ndryshe jashtë këtyre parimeve mund të renditen në faqen e errët të historisë më të re të Kosovës.

Gazeta Infopress: Si po qeverisë me vendin koalicioni PDK-LDK, konkretisht mendimi juaj për kryeministrin Isa Mustafa?
Rugova:
Unë me kohë kam bërë publik qëndrimin tim lidhur me koalicionin. Kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër koalicionit me PDK-në, janë një mijë arsye. Ky koalicion e ngulfatë demokracinë, hyrja e LDK-së në koalicion me rivalin më të madh politik, si parti e dytë e dëmtoj shumë kauzën tonë si parti, demantoj në plotni premtimet dhe sloganet elektorale të LDK-së, demotivoj dhe demoralizoj shumë elekoratin e LDK-së si dhe shkaktoj tensione në vend si pasojë e një marrëveshje paraprake me bllokun opozitar.
Kryeministri Mustafa ka tentuar të krijojë një logjikë të re qeverisëse, por kjo logjikë nuk realizohet me PDK-në si parti e parë. LDK-ja ia zgjati jetën në pushtet PDK-së, ia mundësoj marrjen e postit të presidentit dhe mori përsipër dy çështjet më të rënda aktuale për vendin, demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe, të cilat i kishte filluar dhe pothuajse përfunduar PDK-ja dhe lidershipi i saj. Dita ditës koha po dëshmon se ky koalicion ishte dhe vazhdon të jetë i dëmshëm për LDK-në.

Gazeta Infopress: Po për partinë tuaj, LDK-në ç’mendim keni? Isa Mustafa po e ringjall apo po e shkatërron LDK-në?
Rugova:
LDK-ja pa dyshim se është dëmtuar si parti edhe si alternativë shprese dhe qytetarie me simbiozën me PDK-në. Këtë e hasim çdo ditë me elektorat, mbështetës tradicional të LDK-së, veprimtarë dhe intelektual. Sondazhet dhe matjet e ndryshme të opinionit na tregojnë se nuk jemi mirë. Mund të jetë i kënaqur lidershipi i partisë dhe një grup afër tyre, elektorati jo, këtë e di mirë edhe udhëheqja e partisë. Uroj të mos ndodhë ndonjë Zanzibar siç di t’i bëjë PDK-ja dhe mos të vërtetohen këto vlerësime të miat. LDK e humbi shansin të rikthehet fuqishëm, e patëm rastin, kur një ekip humb finalen dy herë radhazi, duhet të lëshojë rrugë. LDK ka nevojë për një reformë substanciale! LDK duhet ti kthehet vetvetës, konceptit civil dhe frymës tradicionale.

Gazeta Infopress: Si i shihni tërheqjen zvarrë Donika Gërvalla dhe moslejimin e saj të marrë pjesë në mbledhjet e fundit të partisë?
Rugova:
LDK-ja ishte shpresë dhe simbol i funksionimit të demokracisë jo vetëm në rajon, por edhe më gjërë. LDK-ja gjithmonë ka hapur dyer dhe nuk ka mbyllur kurrë. LDK-ja ishte model i dialogut dhe tolerancës në Evropën Juglindore. Rasti me një veprimtare të shquar të LDK-së në mërgatë, pinjolle e një familje me vlera të mëdha në nivel nacional nuk është fytyra dhe shpirti i LDK-së. Ato veprime janë të huaja për frymën dhe vullnetin e elektoratit të LDK-së. Si pjesa dërmuese e elektoratit të LDK-së e kam dënuar një veprim të tillë. LDK ka nevojë për unitet, frymë koncensusi, bashkëpunimi dhe kthim të vlerave tradicionale. Besoj fuqishëm se nuk ka rrugë tjetër.

/Gazeta InfoPress